
FIER – Prokuroria e Fierit ka dërguar për gjykim penal një mjek të spitalit rajonal të këtij qyteti. Mjeku akuzohet për “Neglizhencë në trajtimin mjekësor”, me pasojë vdekjen e një pacienteje.
Akuza thekson se pacientja me inicialet A.N ka ndërruar jetë, pasi mjeku nuk ka vepruar në përputhje me protokollin mjekësor. Gjithashtu, në aktakuzë nënvizohet se nuk është zbatuar protokolli mjekësor në transportimin e saj. Si pasojë e neglizhencës në trajtimin mjekësor, pacientja ka ndërruar jetë.
Njoftimi i Prokurorisë së Fierit:
Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim, procedimin penal në ngarkim të shtetasit S.B., me detyrë mjek pranë urgjencës së Spitalit Rajonal Fier, i akuzuar për veprën penale të “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”, e parashikuar nga neni 96/2 i Kodit Penal.
Nga hetimet u provua se, nga i pandehuri S.B. nuk ka vepruar në përputhje me protokollin mjekësor, të pranuar për sëmundjen nga e cila vuante shtetasia A.N., dhe se transportimi i pacientes nuk u realizua konform protokollit mjekësor me ekip të specializuar.
Si pasojë e neglizhencës në trajtimin mjekësor, shtetasja A. N. ndërroi jetë./Zëri.ai/