Aktualitet

Opozita serbe kërkon 'kokën' e Radoiçiçit

Në kërkesë thuhet gjithashtu se Radoiçiç, si njeri i regjimit të Aleksandër Vuçiçit, ishte caktuar jo vetëm si lider politik i serbëve në Kosovë, por edhe si personi më i besuar i Presidentit të Serbisë.

E.K
Opozita serbe kërkon 'kokën' e Radoiçiçit
Srđan Milivojeviç

SERBI- Deputeti i Partisë Dremokratike të Serbisë Srđan Milivojeviç ka kërkuar këtë të mërkurë që Kuvendi i Serbisë të ngrejë një komision parlamentar që të hetojë Milan Radoiçiçit, nënkryetarin e Listës Serbe, për lidhjet e tij me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë efektivi i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy kolegët e tij.

Milivojeviç shprehet se është e nevojshme që Kuvendi të ngrejë Komisionin Hetimor, në mënyrë që të hedhë dritë mbi ngjarjen dhe përfshirjen e nënkryetarit të Listës Serbe. Në kërkesë thuhet gjithashtu se Radoiçiç, si njeri i regjimit të Aleksandër Vuçiçit, ishte caktuar jo vetëm si lider politik i serbëve në Kosovë, por edhe si personi më i besuar i Presidentit të Serbisë.

Komisioni hetimor duhet të përcaktojë nëse Radoiçiç ka marrë pjesë në formimin e një organizate kriminale dhe nëse ka marrë pjesë në frikësimin dhe terrorin ndaj qytetarëve serbë që nuk kanë përkrahur politikat e dëmshme dhe të dhunshme të Aleksandër Vuçiçit.

Në propozim thuhet gjithashtu se Komisioni Hetimor do të përbëhet nga një anëtar nga çdo grup parlamentar dhe seanca e parë do të drejtohet nga anëtari më i vjetër i komisionit.

Çfarë ndodhi në veri të Kosovës më 24 shtator

Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Kosova u trondit nga një sulm në drejtim të punonjësve të policisë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, dhe mbetën të lënduar dy kolegë të tij, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Ishte ora 02:34 e mëngjesit, kur një patrullë e policisë së Kosovës, vuri re se në hyrje të fshatit Banjskë, në urë, ishin vendosur si bllokadë dy kamionë pa targa, duke bllokuar në këtë mënyrë qarkullimin e mjeteve. Me mbërritjen në vendngjarje, efektivët e policisë së Kosovës janë përballur me rezistencë, ku nga disa pozicione të ndryshme ndaj tyre është qëlluar me armë dhe me granata dore, e për pasojë humbi jetën Bunjaku, dhe u lënduan dy kolegët e tij.

Pas ngjarjes mobilizimi i punonjësve të policisë ishte i menjëhershëm, ndërkohë që agresorët gjetën strehim brenda në Manastirin e Banjskës, ku u mbajtën të rrethuar nga policia, e 3 prej tyre u ekzekutuan fizikisht, ndërsa 6 të tjerëve iu vunë prangat.Kosova e ka shpallur ditën e sotme një ditë zie kombëtare në nderim të efektivit Bunjaku, i cili ra në krye të detyrës. Pikëpyetjet mbeten se cili ishte qëllimi i njësisë serbe të armatosur që qëlloi mbi policinë, ndërsa pritet dhe marrja në pyetje e personave të arrestuar brenda në Manastir./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB