
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka lënë në fuqi masën e arrestit me burg për ish-drejtorin e Policisë së Lezhës Henerigert Mitri, i cili dyshohet se ka favorizuar grupet kriminale, gjatë mbajtjes së detyrës së tij.
Mitri u vetëdorëzua disa ditë më parë në ambientet e Policisë së Tiranës, teksa ndodhej prej 4 muajsh në kërkim nga ana e SPAK, në kuadër të operacionit Revanshi.
Mitri akuzohet për kryerjen e veprave penale “kultivim i bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim”, “grup i strukturuar kriminal”, “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë së lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “shpërdorim i detyrës”.
Mitri u akuzua zyrtarisht nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar se kishte lejuar kultivimin e kanabisit gjatë kohës që ishte në krye të Policisë së Lezhës, por edhe organizimin e lojrave të fatit.
Emri i Mitrit dhe i bashkëpunëtorit të tij, Klodian Shahini, i cili në vitin 2020 ka pasur detyrën e shefit të Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë doli nga operacioni i SPAK më 18 maj. Nga hetimet e kryera nga SPAK, rezultoi se Mitri, së bashku me Shahinin dhe persona të tjerë drejtonin aktivitetin kriminal të kultivimit të narkotikëve në qarkun e Lezhës. Nga bisedat e zhvilluara me aplikacionin "SkyECC" u zbuluan edhe komunikimet e tij me biznesmenin Pëllumb Gjoka (gjithashtu i arrestuar nga SPAK) për organizimin e lojrave të fatit po në zonën e Lezhës.
Tashmë të dy janë përjashtuar nga radhët e uniformave blu. Para se të përjashtohet, Mitri kishte detyrën e shefit të sektorit të Analizës së Riskut, në Drejtorinë e Menaxhimit dhe Drejtimit, në Departamentin për Sigurinë Publike. Ndërsa Shahini kishte detyrën e shefit të Seksionit të Policimit në Komunitet dhe Shërbimit ndaj të Tretëve, në Drejtorinë Vendore të Policisë, Dibër./ZËRI