
TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka sekuestruar telefonin bashkëshortes së ish-drejtorit të UKT Tiranë, Redi Molla. Aparati telefonik është sekuestruar në kuadër të hetimeve lidhur me dosjen e ashtuquajtur "5D", për të cilën u vendos në pranga edhe bashkëshorti i saj. Mendohet se brenda tij mund të gjenden mesazhe, dokumenta apo ndonjë detaj tjetër që të shërbejnë për hetimin e plotë të të gjithë aferës.
Por, avokatët e bashkëshortes së Mollës, ankimuan veprimin dhe kërkuan në Gjykatën e Posaçme kthimin e aparatit telefonik. Seanca ishte parashikuar për t'u zhvilluar këtë të enjte, por u shty për sot, ku trupa gjykuese ka vendosur kundër palës mbrojtëse. Sipas togave të zeza, vendimi për sekuestron e telefonit të saj, është në përputhje të plotë me ligjin. Ndaj duhet që të jenë subjekt i hetimit që po zhvillon SPAK për kompaninë e drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, që u jepnin tendera vetes.
Sipas hetimeve të SPAK rezulton se në periudhën 2016-2020 gjatë kohës që Redi Molla ishte Drejtor i Përgjithshëm në “Ujësjellësin e Kanalizime Tiranë” shpalli fitues kompanine e tij 7 herë. Po ashtu, në shkelje janë gjetur edhe drejtues të tjerë të Bashkisë së Tiranës. Ndaj me kërkesë të SPAK, GJKKO ka firmosur 9 masa sigurie, mes tyre për ish-zyrtarë të bashkisë së Tiranës. Nga 9 masa sigurie, 3 prej tyre janë arrest në burg, ndërsa 6 të tjerat janë detyrim paraqitje. Sipas SPAK për gjatë kohës që kanë ushtruar funksionin e Drejtorit kanë shpallur fitues kompaninë që ai dhe Mariglen Qato ishin ortakët e vërtetë dhe pronarët “de facto” të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k./ZËRI