
MALTA- Bari Balla është 51-vjeçari shqiptar që ka humbur jetën gjatë një aksidenti në punë. Sipas mediave vendase, shqiptari ra nga çatia e një shtëpie, e cila datonte nga viti 1920. Në çati bashkë me të ishte edhe dhëndri i viktimës, një 31-vjeçar shqiptar, i cili ka shpëtuar me dëmtime të lehta.
Balla, me origjinë nga Librazhdi, baba i gjashtë fëmijëve, ku më i vogli është vetëm 12 vjeç, prej dy vitesh jetonte dhe punonte në Maltë për të siguruar mirëqënien e familjes së tij. Por fatkeqësisht ndërroi jetë. Tani familja, po tenton që të sjellë në atdhe trupin e tij, e për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike kanë hapur një faqe ku kërkojnë ndihmë për transportin dhe funeralin e të ndjerit.
Deri më tani janë mbledhur vetëm 400 dollarë.
(Për të kontribuuar klikoni KËTU)
Ngjarja e rëndë ndodhi më 20 prill, paraditen e së shtunës, ku një mur u shemb duke shkaktuar edhe shembjen e çatisë, ndërkohë që dy punëtorët shqiptarë po testonin vendin për të parë nëse mund t'i rezistonte punimeve./ZËRI