Aktualitet

I PAPREKSHMI (Bana)King of COCAINE

Nuk ka një kompani të dytë në vendin tonë, kaq shumë të përfolur, kaq shumë të dyshuar në trafikun e kokainës dhe njëkohësisht kaq shumë të pahetuar nga Policia dhe Prokuroria sesa BanaKing.

Zëri
I PAPREKSHMI (Bana)King of COCAINE
Trifon Murataj

TIRANE- Vetëm para disa ditësh, një kamion në dukje i ngarkuar plot me banane, doli në mënyrë tërësisht klandestine nga Porti i Durrësit, dhe u kthye po në mënyrë klandestine brenda tij pas disa orësh. Në timon shtetasi D.H. si shofer, të cilin policia e ka shpallur në kërkim e për të cilin nuk ka dhënë asnjë detaj më shumë sesa inicialet.

Në portin kryesor të vendit, me prezencën e policisë si asnjëherë tjetër për shkak të sezonit, por edhe për shkak të alarmit të përsëritur për trafikun e lëndëve narkotike, me kontrata miliona euro për skanera që duhet të kontrollojnë kamionat, me kulla monitorimi me kamera dhe me protokolle pune zbatimi i të cilave nuk duhet të lejojë asnjë shtetas e veturë të dalë pa u kontrolluar, ndodh më e pabesueshmja.

Ajo që nuk ndodh ndoshta as në vendet më të humbura të globit, ndodh në Portin e Durrësit. Një shofer anonim, hyn në port, merr kamionin e mban disa orë e pastaj e parkon prap brenda portit. Del dhe ikën për tu zhdukur nën parullën “në kërkim” derisa çështja të arkivohet nga memoria publike e rrjedhimisht edhe nga institucionet që duhet ta hetojnë, Polici dhe Prokurori.

Po kaq i pabesueshëm është dhe reagimi i Policisë duke e konsideruar gjithë këtë skandal si kontrabandë bananesh. Në qoftë se vende të tjera të humbura diku në botë mund të ekzistojnë porte, ku kamionë e maune hyjnë e dalin të pakontrolluara nga pikat kryesore të vendit, është e sigurt se nuk ekziston asnjë vend tjetër në glob ku të merren në hetim 5 vetë për kontrabandë të disa kutive banane. Të tillë nivel mediokriteti, për të mos thënë përfshirje në krim, nuk e ka marrë guximin ta shfaqë asnjë shtet sado i humbur në botë. Por ndodh në Portin e Durrësit.

Nuk është as hera e parë që kompania BanaKing bëhet protagoniste e situatave të trafikut të kokainës në mënyrë të përsëritur. Pronari i saj, Trifon Murataj, një shtetas shqiptar që e ndan kohë qëndrimin e tij sa në Shqipëri e sa në Amerikë, është mjaftuar vetëm duke dhënë disa deklarata mediatike.

Argumenti kryesor i tij ka qenë i njëjti; kompanitë konkurrente duan të dëmtojnë biznesin e tij duke futur kokainë brenda kamionave të BanaKING.

Po kësaj kompanie i janë sekuestruar vazhdimisht ngarkesa kokaine në kamionët e saj, por po kësaj kompanie i ndodhin incidentet më të pabesueshme që mund të kenë ndodhur ndonjëherë në tregun e transportit dhe biznesit. Kamionët e kësaj kompanie sulmohen në rrugë nacionale, kontenierët e kësaj kompanie harrrohen në Port pa u marrë prej askujt, vulat e sigurisë për ngarkesat e BanaKING ndodh të ndërrohen dhe kompania nuk di kurrë gjë.

Këto e të tjera, i kanë ndodhur vetëm kësaj kompanie deri sot, e përsëri Polici e Prokurori nuk kanë marrë as mundimin më të vogël për të hetuar në themel çfarë realisht po ndodh me trafikun masiv të kokainës nga një kompani që duket se veç bananeve, ka si biznes të dytë dhe incidentet me kokainën.

Rasti më i fundit, kapërcen çdo lloj dyshimi se kjo kompani ka mbështetje të forta nga grupe kriminale, të cilat veçmas apo në bashkëpunim me vetë kompaninë, kontrollojnë segmente të tëra të Policisë e Prokurorisë, duke marrë iniciativa të tilla të denja vetëm për filma.

Sepse asnjë kamion a maune, nuk mund të dalë dot pa u kontrolluar nga Porti i Durrësit pa bashkëpunimin e strukturave më të larta të Policisë, Doganës, SHISH, apo të gjitha institucioneve që janë prezente në Portin e Durrësit. Asnjë kompani apo grup kriminal nuk do merrte iniciativa të tilla pa pasur garanci nga nivelet më të larta.

Sigurisht asnjë individ nuk do rrëmbente një kamion për ta nxjerrë jashtë portit, nën kërcënimin e një rreziku kaq të madh, për të kontrabanduar disa arka banane (për më tepër ka qenë edhe dorështrënguar që nuk i ka kontrabanduar të gjithë arkat e kamionit por vetëm disa prej tyre).

Të gjitha dyshimet të çojnë tek një nga rastet e trafikimit të kokainës të bërë në një mënyrë kaq të guximshme e kaq të hapur sa me plot të drejtë mund të presupozohet se e bëjnë vetëm dy lloje trafikantësh, ose shteti vetë, ose grupe kriminale që kanë zëvendësuar vetë shtetin.

Trifon Murataj dhe BanaKing e meriton emrin "Mbreti i bananeve", po të shohësh shifrat e importit të bananeve. Sigurisht dhe mbreti i reklamave nëpër media, po të shohësh sa buxhet shpenzon për reklamim bananesh. Por në qoftë se titulli "Mbret i kokainës" do jepej duke shënuar sasinë e trafikuar dhe mënyrën si e ka bërë, padyshim BanaKing of Cocaine e meriton plotësisht.

Dhe ndërkohë që policia kërkon shoferin D.H që nxorri kamionin nga Porti me dyshimin se do trafikonte 5 arka banane, prokuroria bën mirë të hetojë në themel sepse aq kokainë e aq buxhet sa gjeneron ky treg kriminal, sigurisht nesër nuk do ketë kufi në korruptimin e kujtdo që qeveris këtë vend./ZËRI

Poll

MOS HUMB