
TIRANË- Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë detaje në lidhje me operacionin e zhvilluar një ditë më parë në të gjithë vendin. Një prej ngjarjeve në të cilën është hedhur dritë rezulton të jetë dhe atentati ndaj Preng Gjinit, i ndodhur më 15 shtator të vitit 2020.
Sipas SPAK, Edison Reçi ka organizuar vrasjen e Gjinit me qëllim hakmarrjeje dhe ka rekrutuar si pjesë të grupit E.D., B.Xh. etj., të cilëve ju kishte premtuar një shumë të konsiderueshme parash me qëllim vrasjen e tij. Gjithashtu, sipas SPAK, Reçi ndihmohej nga Klodian Shahini, me detyrë me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë, Lezhë, që i jepte informacion në lidhje me automjetet dhe hyrje-daljet e Gjinit.
Pjesë nga njoftimi i SPAK:
Hetimet kanë evidentuar ekzistencën edhe të një grupi tjetër kriminal të drejtuar nga shtetasi E.R. Ky shtetas me qëllim hakmarrje ka organizuar vrasjen e shtetasit P.Gj., ku në datën 15.09.2020, ky i fundit ka mbetur i plagosur rëndë si pasojë e shpërthimit me eksploziv të automjetit me të cilin udhëtonte. E.R., ka rekrutuar si pjesë të grupit shtetasit E.D., B.Xh. etj., të cilëve ju kishte premtuar një shumë të konsiderueshme parash me qëllim vrasjen e shtetasit P.Gj.. Shtetasi K.Sh., me detyrë me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë, Lezhë, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal ndihmonte shtetasin E.R., duke i dhënë informacion në lidhje me automjetet dhe hyrje-daljet e shtetasit P.Gj.
Preng Gjini mbeti i plagosur pasi iu vendos një tritol në makinën e tij në zonën e ish-Nisharakut në Tiranë. Atentoti erdhi për shkak të hakmarrjes zinxhir mes fiseve Gjini dhe Reçi. Preng Gjini ka qenë shoqëruar për vrasjen e Kastriot Reçit, që u ekzekutua me snajper në 27 janar të 2020. Në atë kohë, 5 vëllezërit e familjes Reçi, Tonin Reçi, Paulin Reçi, Martin Reçi, Alfred Reçi dhe Gjovalin Reçi kanë deklaruar para efektivëve të Policisë së Tiranës se nuk kanë gisht në atentatin me tritol që iu bë Preng Gjinit.