Aktualitet

Atentati ndaj Inez Hajrullës dhe Ervis Matodashajt në Vlorë, arrestohet në Spanjë organizatori Leonard Luzi

Leonard Luzi pritet që të ekstradohet drejt Shqipërisë, ku do të përballet me akuzën e organizimit të atentatit të dyfishtë në Vlorë

E.K
Atentati ndaj Inez Hajrullës dhe Ervis Matodashajt në Vlorë,
Momenti i arrestimit

SPANJË- Është arrestuar në Spanjë Leonard Luzi, i cili ishte shpallur në kërkim me urdhër të SPAK, për atentatin e dështuar në Vlorë, në drejtim të Inez Hajrullës dhe Ervis Matoshajt. Atentati ndaj dy vlonjatëve u arrit që të parandalohej nga ana e policisë, ndërsa u arrestua në flagrancë shtetasi Amarildo Nikolli (Xhanej), i cili do ta kryente vrasjen kundrejt pagesës.

HETIMET E SPAK 

Sipas SPAK, eleminimi i dy personazheve të njohur në Vlorë, do të bëhej për hakmarrje, dhe për dominimin e tregut të lojërave të fatit. Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme, rezulton se në datën 22.03.2013, në qytetin e Vlorës, është vrarë me armë zjarri shtetasi Erigert Zejno. Në lidhje me këtë ngjarje në datën 17.08.2013, u krye arrestimi i shtetasve Ervis Matodashaj, Nadir Ferko dhe Altin Sejdiraj. Në datën 21.04.2014, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka vendosur pushimin e hetimeve për të hetuarit Ervis Matodashaj etj., për mungesë provash, dhe në datën 04.12.2014, hetimet e këtij procedimi janë pezulluar për zbulimin e autorëve.

I pandehuri Leonard Luzi (Zejno), i dërguar për gjykim, është kushëri nga ana e babait me shtetasin Erigert Ferik Zejno, vrarë më datë 22.03.2013, në lagjen “11 Janari”, Vlorë. Hetimet provuan se i pandehuri Leonard Luzi, është financuar nga një person ende i paidentifikuar për të kryer vrasjet e dy shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla.

Për këtë qëllim, i pandehuri Leonard Luzi, ka krijuar një grup të strukturuar kriminal, pjesë e të cilit janë i pandehuri Amarildo Nikolli, që do të ishte ekzekutori material i veprës penale, si dhe të pandehurit Muharem Koroveshi, dhe Erio Zejno, në rolin e ndihmësit.

Të pandehurit Muharem Koroveshi, dhe Erio Zejno, kanë sjellë armët në banesën e të pandehurit Amarildo Nikolli në Vlorë, kanë ndihmuar në terren me gjetjen e personave të cilët ishin objektiv i atentatit, si dhe do të ndihmonin ekzekutorin Amarildo Nikolli, në largimin nga vendi i ngjarjes (pas kryerjes së vrasjes).

Por plani dështoi, pasi Nikolli, i njohur me nofkën “shkodrani” u arrestuar në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë.

NJOFTIMI I POLICISË:

Policia e Shtetit/Bashkëpunimi i ngushtë me homologët spanjollë, finalizon një tjetër operacion policor ndërkombëtar.

Si rezultat i operacionit të koduar “Rekrutuesi”, arrestohet në Spanjë, një 47-vjeçar që akuzohet nga GjKKO-ja se rreth 1 vit më parë, në Vlorë, kishte organizuar vrasjen e 2 shtetasve (krim i parandaluar si rezultat i ndërhyrjes së Policisë).

Në bazë të informacionit nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe shkëmbimit të menjëhershëm të tij, ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, në lidhje me vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht, për sigurim kushtesh/mjetesh për të kryer vrasje, u finalizua operacioni policor i koduar “Rekrutuesi”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në Spanjë, shtetasi L. L., 47 vjeç, i lindur në Vlorë.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 05.02.2024, i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”.

47-vjeçari akuzohet se më datë 08.08.2023, në bashkëpunim me të tjerë, kishte organizuar vrasjen e shtetasve E. M. dhe I. H.. Ky krim u parandalua nga Policia, pasi u arrestua shtetasi A. N., i cili dyshohet se i paguar prej shtetasit L. L., do të kryente vrasjet. Shtetasit A. N., në momentin e arrestimit, iu sekuestrua pistoleta me fishek në fole, e gatshme për qitje.

Vijon bashkëpunimi për të finalizuar ekstradimin e shtetasit L. L., në Shqipëri./ZËRI 

Poll

MOS HUMB