
VLORË- Gjykata e Apelit të Vlorës ka lënë në fuqi dënimin ndaj 5 personave të shpallur fajtorë për atentatin ndaj Inez Hajrulla. Gjatë seancës së sotme, Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e datës 22 nëntor të vitit të kaluar. Si përfundim, edhe trupa gjykuese e Apelit vendosi që të lërë në burg për 35 vjet Daut Elmazin dhe Gentjan Dautajn, të dy të akuzuar për veprën penale “vrasje në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë. Për po të njëjtat akuza, u la në fuqi dënimi me 30 vite burg për Igli Memajn, ndërsa me nga 25 vite, edhe Serxhio Ademin dhe Albano Goxhajn.
Inez Hajrulla njihet nga Policia e Vlorës si person me precedent të theksuar kriminalë. Në vitin 2013, ai u arrestua i dyshuar si autor i grabitjes me armë të një kazinoje në këtë qytet. Më pas, ai u la i lirë për mungesë provash. Më 10 maj të 2019 në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, Hajrulla u qëllua me armë zjarri nga një automjet në lëvizje, skemë tipike e eliminimeve mafioze, teksa ishte ulur në një lokal.
Ai mundi t’i shpëtonte atentatit, e bashkë me të u plagos në mënyrë rastësore edhe Dajko Cenodemaj, i cili po konsumonte kafe në të njëjtin lokal. Sipas Policisë dhe prokurorisë së Vlorës, në këtë atentat të dështuar morën pjesë 9 persona, Fatmir Hyseni, Daut Elmazi, Igli Memaj, Gentian Dauti, Serxho Ademi, Albano Goxhaj, Dejvison Serjani, Ardjan Ahmeti dhe Xheladin Merko. Por deri më tani 5 persona janë prangosur dhe dënuar me gjithsej 150 vite burg./Zëri.ai