
TIRANË- Dy të arrestuarit si të dyshuar për atentatin ndaj Gentjan Bjejtjas, deri tani kanë vendosur që të heshtin përpara hetuesve dhe të mos bashkëpunojnë për zbardhjen e ngjarjes. Ilir Beqaraj, (Brahimi, Mançellari) si dhe Edison Haxhiu, të dy të akuzuar si të përfshirë në vrasjen e Bejtjas, kanë zgjedhur që të mbrohen përmes heshtjes përpara hetuesve.
Skema, si u krye vrasja e Gentjan Bejtjas
Nga hetimet e kryera nga grupi hetimor, autorët janë afruar te banesa e Gentjan Bejtjas me automjetin e markës "Land Rover Discover" me ngjyrë të zezë dhe pas kryerjes të vrasjes po me këtë automjet janë larguar në aksin rrugor Larushkë - Thumanë, pas kalimit të mbikalimit të Fushë Krujës dhe janë kthyer majtas. Pak metra më tutje, në fshatin Hasan kanë djegur automjetin "Land Rover Discover".
Për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, kanë marrë një tjetër makinë, tip "Golf" me ngjyrë të zezë, pa targë në pjesën e pasme, duke ndjekur itinerarin nga vendi i djegies së automjetit në drejtim të rrugës kryesore Thumanë-Fushë Krujë, kanë devijuar djathtas në mbikalimin e Fushë Krujës dhe janë larguar në drejtim të fshatit Bubq, Krujë.
Gentjan Bejtja u ekzekutua pasditen e 15 marsit brenda oborrit të banesës së Larushk. Autorët dyshohen të kenë qenë katër, tre kanë marrë pjesë në sulm ndërsa tjetri i ka pritur në makinë. Mbi Bejtjan janë qëlluar 50 plumba, 30 prej të cilëve kanë rezultuar fatal dhe e kanë prekur në fytyrë e trup duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
/ZËRI