
KUKËS-Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin për ish-prefektin e Kukësit, Granit Gjana. Apeli ka lënë në fuqi masën detyrim paraqitje për Granit Gjanën, nënkryetarin e pezulluar të Bashkisë së Kukësit.
NJOFTIMI:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, sot më 05.01.2024, ora 11:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 62 akti, datë 29.12.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personit nën hetim G.Gj., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 133, datë 01.02.2023, verifikuar me vendimin nr. 135, datë 07.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
Miratimin e vendimit nr. 133, datë 01.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Miratimin e vendimit nr. 135, datë 07.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nisi hetimet ndaj Granit Gjana, pasi dyshohet se në kohën kur zëvendësoi Safet Gjicin në krye të Bashkisë së Kukësit, ka penguar një kompani që të merrte pjesë në 2 tendera për “blerje karburanti” në vlerën 21 milionë lekë. /ZËRI