
Kur kanë kaluar pak më shumë se dy muaj nga rrahja e ndodhur në Borizanë me protagonistë anëtarët e fisit Rraja, të afërm me deputetin e dorëhequr socialist Rrahman Rraja, Prokuroria e Tiranës ka ndryshuar akuzat.
Prokuroria e Tiranës, ka vendosur që nga akuza “plagosje e rëndë me dashje, në bashkëpunim”, hetimi duhet të vijojë për akuzën e “plagosjes së lehtë me dashje”, duke lehtësuar ndjeshëm pozitat e personave të arrestuar apo në kërkim.
Ndryshimi i kualifikimit të veprës penale ka ardhur pas administrimit të akt-ekspertimeve mjeko ligjore ndaj të dëmtuarve.
Përveç lehtësimit të pozitës penale, akuza e re kërkon ankim nga të dëmtuarit për vijimin e hetimit. Të akuzuarit mund të dënohen me gjobë deri në 2 vite burg.
Grupi Rraja goditi me sende të forta dhe kërcënuan me armë Bilbil dhe Jashar Majën, mbi një konflikt të nisur për dëmet që pretendonin dy viktimat e sulmit që ishin bërë nga punimet e gurores së vëllezërve Rraja në fshatin Borizanë.
Ngjarja pasoi dhe me një furtunë në komisariatin e policisë në Krujë, e madje dhe shkarkimin e vetë ministrit të brendshëm Bledi Çuçi, ndërkohë që vetë autorët pritet të përballen me dënime qesharake.