
SHKODËR- I është dhënë lamtumira e fundit ditën e sotme aktorit të madh të humorit Zef Deda, i ciloi ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit të së premtes, pas përballjes me një sëmundje të rëndë. Prej mëngjesit nisën homazhet në nderim të tij në ambientet e Teatrit Migjeni të Shkodrës, ku Deda kaloi shumë vite të jetës së tij, dhe i la pas një trashëgimi të çmuar të gjithë artdashësve dhe dashamirësve të humorit.
Familja e tij, bashkëshortja, djemtë me familjet e tyre, pritën ngushëllimet, ndërsa në krah qëndronin të gjithë aktorët e Teatrit 'Migjeni', të cilët e konsiderojnë aktorin Zef Deda, po aq të afërt sa familjarët e tyre. Për ndarjen e tij nga jeta ka pasur dhjetra reagime të kolegëve, por edhe njerëzve të medias, ekranit, qytetarëve që u rritën dhe u njësuan me artin e tij.
Në një prononcim për mediat pas kryerjes së homazheve në nder të Mjeshtrit të Madh, Zef Deda në teatrin “Migjeni” në Shkodër, e madhja Zyliha Miloti thotë se Zef Deda ka qenë “alegria e estradës”.
“Sot Shkodra jonë e dashtun është zgjuar pa një artist të madh, pa një ikonë jo vetëm të Shkodrës, por të gjithë Shqipërisë! Zef Deda ka lindur për të qenë artist. Që në moshën 5-vjeçare ka dalë në skenën e teatrit “Migjeni”. Me Zefin kam punuar më shumë se 50 vjet, më shumë kemi qëndruar më njëri-tjetrin se sa në shtëpitë tona.
Zoti ia kishte falë talentin në të gjitha drejtimet. Të gjitha të dhënat që mund të ketë një artist, ja kishte falë Zoti Zef Dedës. Për mua është artist i rrallë. Zefi fizikisht nuk ekziston më, por vepra e tij artistike do të mbetet për shekuj.Them nuk lind më një Zef Dedë, një artist kaq i madh. Zefi kishte një karakter të veçantë, ishte i dashur dhe shumë gazmor. Ne e kemi quajt “alegria e estradës”, “Benjamini i estradës”.
Kujtime nga më të ndryshmet i kemi me Zef Dedën. Do të na mungojë shumë. Është një humbje shumë e madhe për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Herën e fundit kur e takuam na e bëri pak qefin sepse bëri edhe pak humor me ne. Ndoshta ishin momentet e fundit të jetës së tij. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij! I paharruari Zef Deda! Është vështirë me lind të tillë artista, por Shkodra prapë është burim artistash!”, u shpreh Miloti.
“Cekja” i Beratit u shpreh me lot në sy për Zef Dedën: Humbje shumë e madhe për humorin shqiptar, për mbarë Shqipërinë, një aktor i mrekullueshëm. Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë nuk i vjen më si Zef Deda, simboli i humorit shqiptar. Me dhimbje të madhe, ngushëllime familjes, fëmijëve të tyre jetë të gjatë. Me Zef Dedën kam kujtime të mrekullueshme! U prehtë në paqe!
Djali i Zef Dedës, Julian Deda kërkoi që të atit t’i jepet lamtumira e fundit përmes duartrokitjeve, ndërsa tha se për ta do të jetë një sfidë që të mbajnë lart emrin e mirë që iu ka lënë i ati i tyre.
-
Lamtumirë Zef Deda...
24 Nëntor, 12:14
Zef Deda ishte një nga komedianët më të mirë të Shqipërisë, i cilësuar edhe si Charlie Chaplin i Shqipërisë. Lindi në Shkodër më 27 korrik 1950, ndërsa u shkollua në qytetin e tij të lindjes, dhe në Politeknikumin e Ndërtimit në Tiranë. Deda filloi shkollën e lartë për Gjuhë-Letërsi, por nuk e mbaroi dot për arsye shëndetësore. Aktori ka punuar për më shumë se 40 vite në Teatrin Migjeni të Shkodrës. Talenti i tij spikat që në moshë të vogël, pasi me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike ai arrinte të realizonte qindra figura artistike.
/Zëri.ai