
VLORË- 14-vjeçari që u kap nga Policia me pistoletë me 130 plumba doli sot para Gjykatës së Vlorës, ku u njoh dhe me masën e sigurisë ndaj tij. Gjykata e Vlorës vendosi të ndryshojë masën e sigurisë arrest me burg në detyrim paraqitje. Avokatja e 14-vjeçarit, Xhoana Hyka tha se gjykata e mori këtë vendim mbi bazën e ligjit për të mitur, ku për shkak të moshës së tij, ai konsiderohet në moshë të vogël për të mbajtur përgjegjësi penale.
“Sapo e përfunduam seancën gjyqësore për vlerësimin dhe masën e sigurisë për të miturin në konflikt me ligjin. Gjykata duke u bazuar edhe te kodi i drejtësisë për të mitur për sa i takon masës së sigurimit nga arrest me burg në detyrim paraqitje. Derisa të dalë gjykata deri në një vendim përfundimtar po e vlerësojmë një vendim të drejtë në respektim të ligjit”, tha avokatja e të miturit.
Babai i të miturit tha se falë ndërhyrjes së shpejtë të autoriteteve u hoq arma që i biri kishte në duar dhe mund të shkaktonte ngjarje kriminale.
“Jam tronditur nga historia me djalin tonë. Pavarësisht se ata e morën si lojë, mund të ndodhte një tragjedi. Falenderoj bashkëpunimit me shkollën dhe organet kompetente për këtë çështje. Prindërit të rrinë afër me fëmijët, të flasin me ta, dhe nëse kanë ndonjë dyshim të flasin me shkollën apo policinë”, tha babai i djalit të 14 vjeçarit.
14-vjeçari nga Vlora u arrestua për armëmbajtje pa leje dy ditë më parë. I mituri e kishte fshehur armën pistoletë me rreth 130 copë fishekë luftarakë në një motor pranë një banese. Ndërkohë babai i të miturit, i identifikuar me emrin Valentin, tha se pistoleta nuk është e djalit, por ky i fundit i ka thënë se e ka gjetur në një banesë të pabanuar, pak metra nga shkolla ku dhe e kanë marrë për të bërë video. /ZËRI