
Lezhë- Një 31-vjeçar nga Patoku është arrestuar nga policia, pasi filmoi veten duke i dhënë për të konsumuar një cigare kanabis, një të mituri dhe e hodhi në rrjetin social TikTok.
Menjëherë pas publikimit të kësaj video, u bë e mundur identifikimi i Gëzim Avdias dhe u arrestua për veprën penale “Nxitja për përdorimin e drogës”.
Në lidhje me rastin pati një reagim dhe nga ministri i brendshëm Taulant Balla, i cili tha se i kishte kërkuar drejtuesve të policisë identifikimin dhe kapjen e menjëhershme të këtij personi.
‘’Jam njohur sot pasdite me një video skandaloze ku një person i papërgjegjshëm duket se i ofron një cigare (të dyshuar hashash) një të mituri. Menjëherë i kam kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit identifikimin e këtij personi dhe më pas Policia ka bërë të mundur ndalimin e tij të menjëhershëm dhe shoqërimin në Komisariatin e Kurbinit, i akuzuar për nxitje të përdorimit të lëndëve narkotike në rrethana rënduese”, shkruante mbrëmjen e djeshme Balla, ndërkohë që 31-vjeçari do të përballet me veprën penale “Nxitja për përdorimin e drogës”.
“I dha për të pirë një të mituri, cigare me lëndë narkotike kanabis, e filmoi dhe e postoi videon në rrjetin social Tik Tok, kapet dhe vihet në pranga 31-vjeçari.
Strukturat hetimore të DVP Lezhë, menjëherë pas publikimit të një videoje, në rrjetin social Tik Tok, në të cilën shfaqej një shtetas duke i dhënë për të pirë një të mituri, cigare me lëndë të dyshuar narkotike, kanë nisur verifikimet për identifikimin e shtetasit që shfaqej në video.
Nga veprimet e shpejta hetimore u bë identifikimi i shtetasit G.A.(K.), 31 vjeç, banues në Patok, Kurbin.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialisët për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë arrestuan në flagrancë 31-vjeçarin, për veprën penale “Nxitja për përdorimin e drogës”.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të abuzimit me të miturit apo me nxënësit dhe cilindo që tenton të nxisë fëmijët për të përdorur lëndë narkotike apo për t’i përfshirë në vepra të tjera penale, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm”, thuhet në njoftimin e policisë.