Aktualitet

I dënuar për vrasjen e bashkëshortes, 49-vjeçari gjendet i pajetë në burg, dyshohet se është vetëvrarë

Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se 49-vjecari Agron Llapushi i ka dhënë fund jetës.

M.K.
I dënuar për vrasjen e bashkëshortes, 49-vjeçari gjendet
BURGU I RECIT

SHKODËR- Një 49-vjeçar i cili vuante dënimin në burgun e Reçit për vrasjen e bashkëshortes së tij është gjetur i pajetë në ambientet e institucionit të vuajtjes së dënimit. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se 49-vjecari Agron Llapushi i ka dhënë fund jetës.

Llapushi është gjetur i varur në ambientet e dusheve të burgut. Rrethanat e plota të ngjarjes janë ende nën hetim nga autoritetet.

49-vjeçari banues në Çekin të Gramshit po vuante një dënim prej 24 vitesh e 4 muaj burgim për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, pas vrasjes së bashkëshortes së tij Alketa Llapushi në vitin 2015.

Pas ngjarjes, Llapushi ishte dorëzuar në polici dhe kishte pranuar autorësinë e krimit. Prokuroria kishte kërkuar burgim të përjetshëm, ndërsa vendimi përfundimtar i gjykatës ishte 24 vite e 4 muaj burg. Vendimi kishte marrë formë të prerë më 10 dhjetor 2015.

Çifti kishte dy fëmijë. Gjatë viteve të vuajtjes së dënimit sipas të dhënave të bëra publike, 49-vjeçari kishte pasur kontakte të kufizuara me familjarë me dy takime të regjistruara në vitet 2023 dhe 2025.

Pas krimit, Llapushi kishte deklaruar se familja përballej me vështirësi ekonomike dhe se kishte kaluar një periudhë të vështirë. Një ekspertizë psikiatriko-ligjore e kryer në atë kohë kishte arritur në përfundimin se ai nuk vuante nga çrregullime psikike apo neuropsikike.

Autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe dinamikën e plotë të ngjarjes në burgun e Reçit./ZËRI

Poll

MOS HUMB