
HOLLANDË- Historia e Thanas Bakon, 52-vjeçarit nga Saranda, i cili akuzohet se ka pastruar rreth 500 milionë euro të trafikantëve ndërkombëtarë të drogës, është bërë dokumentar, i cili është publikuar në kanalin e Youtube të ‘’Holland Crime Boulevard’’. Dokumentari flet për jetën e 52-vjeçarit, i cili vijon të qëndrojë në një burg në Hollandë pas ekstradimit nga Greqia. Bako u arrestua në Athinë në 31 maj të këtij vitit.
Dokumentari trajton historinë e Thanos, sarandiotit që ngriti një “perandori” korrierësh që pastronin paratë e grupeve kriminale. Bako ra në “duart” e FBI-së pas zbërthimit të mesazheve në aplikacionin ‘’ANOM’’, ku shkruheshin dërgesat dhe bisedat për paratë, të cilat kapnin vlerën e miliona eurove. “Korrierët’’ e tij ishin nga fusha të ndryshme si: hidraulikë, marangozë dhe pastrues xhamash.
Por si funksiononte skema?
Si njerëz jo të dyshimtë, askush nuk do të dyshonte nëse një marangoz apo hidraulik parkonte makinën në anë të një rruge, kështu në furgonat e përshtatur për të mbajtur drogë ata lëviznin të pashqetësuar nga autoritetet. Të gjithë “korrierët” e përdorur nga 52-vjeçari ishin njerëz të pastër, pa rekorde kriminale. Nëse Policia do ti ndalonte për ndonjë shkelje qarkullimi, nuk do të dilte asgjë në sistem për ta.
Bisedat në aplikacionin ‘’ANOM’’
Klienti: Kam një dërgesë për 2 milionë euro. Dua ti ndaj në 2 për siguri. 2 korrierë të ndryshëm, ata nuk mund ta dinë. Të dyja në të njëjtin vend. 12.00 1 makinë, 12.10 1 makinë.
Thanas Bako: Do ta bëj diferencën 30 minuta, është më mirë. Njëri djalë nuk e kalon tjetrin. Njëri 12.00, tjetri 12.30. Dy makina. Kjo është për mua më e sigurt.
Një vend i përafërt diskutohet dhe Thanasi dërgon dy korrierë aty. Vetëm minutën e fundit klienti tregon vendin e saktë ku do të merren paratë. Ishte një restaurant i quajtur “Bruis” në Blaricum. Teksa njerëzit po hanin drekë, 1 milionë euro u transferuan dy herë në secilën nga makinat në parking. Një orë pasi u morën paratë, një nga korrierët i dërgon Thanasit mesazh:
Korrieri: Përshëndetje shok, jam i sigurt, sapo arrita. Do t’i numëroj paratë tani.
Pas kësaj ai dërgon fotografi të parave she thotë se janë 1 milionë euro. Thanasi përgjigjet: “Faleminderit”. Mesazhet e tjera tregojnë përqindjen që ky korrier merr.
Thanas Bako: 0.2 % komision. Transporti me vlerë 1 milionë do të japi 2000 euro.
Korrieri: Është shumë mirë. Jam i vendosur të bëj më të mirën.
Thanas Bako: Kjo është ajo që dua të dëgjoj.
Deri më tani është zhvilluar vetëm një séance gjyqësore në ngarkim të tij.ZËRI