
PADERNO- Mëngjesin e sotëm, specialistë të Departamentit të Hetimeve Shkencore (RIS) do të jenë në Paderno për të kryer vëzhgime të tjera në vendin ku u vra brutalisht Bledar Dedja, 20 janarin e kaluar. Zona që po ekzaminohet shtrihet midis via Colli dhe via Vittorio Veneto, ku u gjet Mercedesi i Dedjas tip "Class B" dhe pak më larg, trupi i 39-vjeçarit shqiptar.
Fokusi kryesor i RIS do të jetë kërkimi i gjurmëve të vrasësit në zonën e pyllëzuar përreth, por vëmendja më e madhe do të jetë brenda mjetit tip Mercedes Class B. Brenda mjetit ka qenë ose vrasësi, ose shoqëruesi i viktimës, ndaj dhe një prej tyre ka lënë patjetër shenja tek makina. Qoftë gjurmë gishtash, qoftë ndonjë fije floku, detaje këto që mund të çojnë në zbulimin e tij.
Deri më tani mendohet se shoqëruesi dhe vrasësi janë i njëjti person, duke evidentuar edhe më shumë tezën e një krimi pasioni. Prania e RIS konfirmon rëndësinë e analizimit të kujdesshëm të çdo detaji për të zgjidhur këtë rast. Dje, mediat italiane zbuluan se gruaja dyshonte se i shoqi po e tradhtonte dhe dy vite më parë e kishte hetuar përmes një dedektivi privat, pasi dhe marrëdhënia mes tyre ishte ftohur edhe pse asnjëri nuk kishte vendosur t'i jepte fund, ndoshta për hir të dy fëmijëve të tyre të vegjël. Ndaj edhe karabinierët janë fokusuar në rrethin e njohjeve të kopshtarit shqiptar: po shqyrtojnë bisedat, profilet sociale, tabulatet e telefonit por edhe klubet që ai frekuentonte./ZËRI