BELSH- Këshilli Bashkiak i Belshit ka kundërshtuar propozimin për bashkimin e kësaj bashkie me Elbasanin dhe Cërrikun në kuadër të diskutimeve për rishikimin e hartës administrativo-territoriale.
Vendimi u mor gjatë mbledhjes së këtij të hëne ku këshilltarët diskutuan për pasojat që do të sillte një ndryshim i mundshëm i organizimit vendor veçanërisht sa i takon administrimit të territorit zhvillimit ekonomik dhe funksionimit të shërbimeve për qytetarët.
Nga 21 anëtarët e Këshillit Bashkiak, 7 votuan kundër propozimit, ndërsa pjesa tjetër abstenuan. Procesi i votimit u shoqërua me debate mes këshilltarëve, ndërsa nga opozita pati edhe kritika për mënyrën e votimit të përfaqësuesve të mazhorancës.
Gjatë diskutimeve u soll në vëmendje edhe zhvillimi i Belshit gjatë viteve të fundi veçanërisht pas reformës territoriale që solli bashkimin e ish-komunave në një njësi të vetme vendore.
Këshilltarët theksuan potencialin që zona ka në bujqësi dhe turizëm, ndërsa liqenet dhe peizazhi natyror i Belshit u përmendën si ndër asetet kryesore që kanë ndikuar në rritjen e interesit për këtë zonë.
Votimi i sotëm e pozicionon Këshillin Bashkiak të Belshit kundër propozimit për ndryshimin e kufijve vendorë, ndërsa diskutimet për Reformën Administrativo-Territoriale vijojnë edhe në bashki të tjera të Qarkut Elbasan./ZËRI