Aktualitet

Hapet gara për kreun e Gjykatës së Lartë, Sadushi drejt fundit të mandatit

Pas përfundimit të aplikimeve, kryetari i ri do të përcaktohet përmes votimit të fshehtë nga Mbledhja e Përgjithshme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, në përputhje me rregulloren e miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor në vitin 2023.

M.K.
Hapet gara për kreun e Gjykatës së Lartë, Sadushi drejt
sokol sadushi

TIRANË- Ka nisur zyrtarisht procedura për zgjedhjen e kryetarit të ri të Gjykatës së Lartë, në prag të përfundimit të mandatit të Sokol Sadushit. Sadushi, i cili mori drejtimin e Gjykatës së Lartë më 17 tetor 2023, do ta përfundojë mandatin trevjeçar më 17 tetor 2026. Për të garantuar vijimësinë e drejtimit të institucionit, procedura për zgjedhjen e pasuesit është hapur 60 ditë përpara përfundimit të mandatit.

Në njoftimin zyrtar, Gjykata e Lartë u ka bërë thirrje gjyqtarëve që plotësojnë kriteret ligjore dhe dëshirojnë të kandidojnë për këtë post të paraqesin kërkesën e tyre. Afati për dorëzimin e kandidaturave është 11 shtator 2026. Kandidatët duhet të paraqesin kërkesën me shkrim, së bashku me platformën e tyre për drejtimin e gjykatës.

Pas përfundimit të aplikimeve, kryetari i ri do të përcaktohet përmes votimit të fshehtë nga Mbledhja e Përgjithshme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, në përputhje me rregulloren e miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor në vitin 2023. Të drejtën për të kandiduar e kanë vetëm gjyqtarët me mandat aktiv në Gjykatën e Lartë. Sipas legjislacionit në fuqi, kryetari zgjidhet për një mandat 3-vjeçar dhe nuk mund të rizgjidhet menjëherë për një mandat tjetër.

Kryetari i ardhshëm pritet të nisë zyrtarisht detyrën më 18 tetor 2026, një ditë pas përfundimit të mandatit të Sokol Sadushit./ZËRI

Poll

MOS HUMB