
GREQI- Zbulohen detaje të tjera lidhur me plagosjen e 50-vjeçarit shqiptar në Greqi. Oficerët grekë tashmë kanë edhe deklaratën e të dëmtuarit, duke zbardhur dinamikën dhe motivet e para. Sipas mediave greke, sulmi ndaj kopshtarit me origjinë shqiptare ka ndodhur për mosmarrëveshje personale dhe për një konflikt banal.
Personi i qëlluar është pritur sa ka dalë nga makina e tij, e pikërisht në atë moment, para tij ka ndaluar një makinë nga e cila kanë zbritur dy persona. Po ashtu, me një motoçikletë janë afruar edhe 2 persona të tjerë. Vetë njëri ka debatuar me të dhe në një moment e ka sulmuar me thikë, duke e goditur tre herë në veshka.
Menjëherë pasi ka kryer sulmin, autori dhe personat që dyshohet se ishin me të janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa viktima i gjakosur ka ecur rreth 50 metra dhe ka kërkuar ndihmë nga punonjësja e një dyqani. Ndonëse e tronditur, ajo i ka ushtruar presion me një peshqir tek plagët për të ndaluar gjakderdhjen. Ndërkohë njoftoi edhe ambulancën.
Aktualisht, shqiptari është jashtë rrezikut për jetën dhe i ka treguar efektivëve emrin e personit që e kishte qëlluar me të cilin kishte dhe mosmarrëveshje personale. Dy-tre muaj më parë ata janë përleshur nën efektin e alkoolit dhe i plagosurit e kishte sharë autorin. Si pasojë e kësaj përplasje ndodhi edhe plagosja e djeshme. Tashmë, Policia greke po kërkon autorin e ngjarjes dhe 3 personat e tjerë që e shoqëronin./ZËRI