
PRISHTINË – Ish-i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka hedhur akuza të rënda ndaj qeverisë së Kosovës, edhe pas ngjarjeve shumë të rënda të ndodhura në Zveçan, ku terroristët serbë vranë policin Afrim Bunjaku.
Grenell i është kundërpërgjigjur ish-ministres së jashtme të shtetit të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stubli, për akuzat ndaj Perëndimit për ngjarjet në Banjskë, duke i thënë se nuk është ide e mirë të “kafshosh dorën e atyre që të ushqyen”.
Për ata që e akuzojnë se është paguar nga Serbia, Grenell tha se “përhapja e lajmeve të rreme në vend të debatit për politikën është një shenjë dalluese e qeverisë së Kurtit”.
Grenel ka deklaruar në rrjetin social “X” se bashkësia ndërkombëtare i ka thënë kryeministrit Albin Kurti më 3 qershor që të ndalojë lëvizjet e njëanshme, të shpallë zgjedhje dhe të formojë Asociacionin e Komunave Serbe.
"A po fajësoni Perëndimin? Nuk është ide e mirë të kafshoni dorën që ju ka ushqyer për dekada. Është e vërtetë që bashkësia ndërkombëtare i tha Kurtit më 3 qershor të ndalojë lëvizjet e njëanshme, të thërrasë zgjedhjet dhe të formojë Asocacionin e Komunave Serbe. Kjo padiskutim është e vërteta", tha ai.
Duke iu përgjigjur atyre që e akuzojnë se është paguar nga Serbia, Grenell thekson se nxjerrja në pah e lajmeve të rreme në vend të debatit politik është një shenjë dalluese e qeverisë së Kurtit.
"Çfarë i thoni ju gjithë komunitetit ndërkombëtar, i cili e bëri të qartë më 3 qershor se Kurti po e ndez krizën me veprimet e tij të njëanshme? A po punojnë të gjithë për Serbinë apo e keni gabim? Unë kam udhëtuar në veri të Kosovës. Unë po u bëj presion të dyja palëve që të zbatojnë marrëveshjet e mëparshme - si zgjedhjet dhe formimi i Bashkimit të Komunave Serbe. Kurti dhe Vjosa Osmani nuk e bënë këtë", tha Grenel në rrjetin social "X".
Albin Kurti ka akuzuar më herët Richard Grenellin se ai mban anën e Serbisë. Grenell ka pasur kritika të shumta ndaj Kurtit. Sipas tij, Kurti nuk ka formuar Asocacionin e Komunave Serbe në veriun e vendit dhe nuk ka ndjekur disa udhëzime të SHBA-ve. Po ashtu, Grenell kishte thënë shpesh herë se nëse Kosova nuk mbështet SHBA-në, as SHBA nuk duhet të jetë në mbështetje të Kosovës. /Zëri.ai/