
TIRANË- Grabitet një dyqan celularësh në zonën e Myslym Shyrit në Tiranë. Burime bëjnë me dije për ZËRIN, se autori ende i paidentifikuar dyshohet se ka vjedhur 15 celularë nga dyqani dhe më pas është larguar në këmbë.
Policia e Tiranës ka ofruar 5 mijë euro shpërblim për çdo qytetar që ka informacion për vendndodhjen e autorit, ndërkohë që është publikuar dhe foto e tij duke dalë nga ambientet e dyqanit të grabitur.
Autori, i cili dyshohet se ka qenë i armatosur, ka qenë i veshur me xhup të kuq dhe me maskë të zezë e kapuç, ç'ka e bën të vështirë identifikimin e tij.
NJOFTIMI I POLICISË:
Më datë 09.02.2024, rreth orës 09:30, në rrugën “Myslym Shyri”, një person me maskë të zezë dhe me një xhup të kuq, nën kërcënimin e një sendi të dyshuar si armë zjarri pistoletë, ka marrë disa aparate celular në dyqanin e shtetasit M. F., dhe më pas është larguar.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e dokumentimin e autorësisë të kësaj ngjarje.
DVP Tiranë fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 5000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e tij.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrat e telefonit 112 dhe +355 69 410 0118 duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi.
/ZËRI