
BERAT- Një 50-vjeçar është arrestuar gjatë mbrëmjes të djeshme në qytetin e Beratit.
Ari Bello (Basko) u vu në pranga nga Forcat Operacionale të Tiranës në bashkëpunim me uniformat blu të Beratit, pasi rezulton i shpallur në kërkim si anëtar i një bande kriminale në shtetin italian.
Kërkesa për arrestim mësohet se është dhënë nga SPAK. Pritet ekstradimi i tij drejt shtetit italian, në mënyrë që të përballet me akuzat e ngritura nga drejtësia e vendit fqinj.
"Në vijim të operacioneve policore për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilat zhvillohen në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, si dhe si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSH, në bashkëpunim me ato të DVP Berat, finalizuan operacionin policor të koduar “Operacionalja 2”.
Gjatë operacionit, në Berat, u lokalizua, u kap dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar Hari Basko alias Hari Bello, 52 vjeç. Gjykata e Venecias e ka dënuar këtë shtetas, me 9 vjet, 3 muaj dhe 27 ditë burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale, sipas parashikimeve të Kodit Penal të Italisë", njofton policia.
/ZËRI