
GREQI- Dy shqiptarë të cilët më 20 dhjetor të vitit të kaluar grabitën me dhunë një pistë postare, janë vënë në pranga. Mediat greke bëjnë me dije se bëhet fjalë për dy shqiptarë, përkatëissht të moshave, 37 dhe 41 vjeç. Ata akuzohen për veprën penale grabitje me dhunë.
Sipas Departamentit të Krimeve të drejtorisë së policisë së Atikës, mesditën e 20 dhjetorit, shqiptarët u futën të armatosur në zyrën postare në Markopulo të Athinës.

Ata u drejtuan armën e zjarrit punonjësve dhe arritën të merrnin një sasi parash të konsiderueshme. Dyshja u larguan me ndihmën e një motoçiklete, por zona u mbajt nën vëzhgim dhe pas marrjes së informacioneve në rrugë operative, u arrestuan.
Në banesën ku fshiheshin u gjetën dhe rrobat që kishin përdorur gjatë grabitjes, doreza, para, mjete të përdorura në grabitje dhe metadon. Shqiptarët, identiteti i të cilëve nuk bëhet me dije, ndodhen pas hekurave.