
BELGJIKË- 17 persona janë vendosur në pranga gjatë një operacioni të zhvilluar në Belgjikë. Sipas mediave të huaja, hetimet kanë lidhje me organizatat kriminale shqiptare, të cilat operojnë në sektorin e drogës. 11 persona u arrestuan në Belgjikë, ndërsa 6 të tjerë jashtë vendit. Kontrolle u zhvilluan në 12 qytete në Belgjikë, por edhe në Gjermani, Francë, Itali, Holandë dhe Austri.
Nga kontrollet, u gjetën dhe u sekuestruan 100 kg drogë (kokainë dhe amfetaminë), armë zjarri, kimikate, jelek antiplumb dhe 265,000 euro para të thata.
Pjesa e hetimit e drejtuar nga policia e Antwerp ka në shënjestër një grup trafikantësh të dyshuar të specializuar në shpërndarjen e sasive të mëdha të drogës që më pas transportoheshin në vende të ndryshme me mjete të pajisura me hapësira të fshehta. Hetimi nga policia gjyqësore ka të bëjë me një organizatë që mësohet se ishte aktive në importin e kokainës nga Amerika e Jugut dhe pastrimin e parave nga trafiku i kokainës./ZËRI