
TIRANË- Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Arnisa Këlliçi ka kërkuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë të deklarojë mungesë kompetence në lidhje me 2 kallëzimet e saj për kërcënim. Ashtu siç e zbuloi ZËRI pak ditë më parë, gjyqtarja konfirmon se dyshon se njëri nga kërcënimet i ka ardhur indirekt nga një kolegu i saj, prokurori Adriano Dyrmishi, i cili gjithashtu punon gjithashtu në Prokurorinë e Tiranës.

Adriano Dyrmishi e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore, ndërsa në vitin 2010 është emëruar prokuror në Prokurorinë e Rrethit Tiranë, ku edhe ushtron detyrën.

Kërkesë:
Tiranë, më 26.01.2024.
Drejtuar: Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë
Prokurore Deniona Katro,
Unë gjyqtare Arnisa Këlliçi, kam depozituar kallëzim në lidhje me dy kërcënime të kryera kundrejt meje. Sot më datë 26.01.2024, në deklarimet e dhëna përpara jush si Prokurore dhe OPGJ-së, kam bërë me dije se dyshoj që njëri prej kërcënimeve ka ardhur indirekt (nëpërmjet Kancelarit të Gjykatës) nga Prokurori Adriano Dyrmishi, i cili ushtron detyrën pranë Prokurorisë suaj. Po ashtu, pas identifikimit nga hetimet e deritanishme të datës se kur letra kërcënuese e ardhur kundrejt meje është përcjellë në zyrën time, kam bërë me dije se Prokurori ka qenë pikërisht në atë datë në zyrën time. Duke patur parasysh këtë fakt, si dhe në kushtet kur jam gjyqtare e po së njëjtës Gjykatë, në bazë të neneve 78 e 84 të Kodit të Procedurës Penale, kërkoj deklarimin e mungesës së kompetencës së Prokurorisë suaj dhe dërgimin e akteve një Prokurorie të ndryshme më të afërt. Me vlerësim për punën tuaj të deritanishme dhe me konsideratë,
Gjyqtare Arnisa Këlliçi
Pak ditë më parë, ZËRI zbuloi arsyen e vërtetë të kërcënimit të gjyqtares. Prokurori shkoi për të takuar kancelarin e Gjykatës së Tiranës, të cilin e ka kërcënuar, por në bisedë e sipër, ka përmendur Këlliçin. Biseda është e regjistruar dhe kancelari e ka kallëzuar menjëherë. Paralelisht ka njoftuar edhe gjyqtaren. Të nesërmen Këlliçi e ka thirrur prokurorin në zyrën e saj, i cili ka shkuar dhe i ka kërkuar falje e një nder. Prokurori në fjalë ka kërkuar ndihmë nga gjyqtarja për një dosje të trafikut të drogës për disa të arrestuar që ndodhen në burgun e Fushë Krujës, që ajo kishte në dorë e janë ndarë në paqe. Por në momentin që është marrë vesh se kancelari ka bërë kallëzim, në zyrën e gjyqtares ka shkuar me postë një letër nga burgu i Fushë Krujës, përmes të cilës Këlliçi u kërcënua me jëtën e dy djemve./ZËRI