Aktualitet

GJKKO shtyn sërish gjyqin ndaj Rezart Taçit, avokatja: Standard i dyfishtë

Seanca e radhës është lënë për në datën 18 janar, ku do të gjykohet fajësia e biznesmenit, i cili akuzohet nga Prokuroria e Posaçme se ka pastruar 18.3 mln euro të mafias italiane në Shqipëri.

k.m.
GJKKO shtyn sërish gjyqin ndaj Rezart Taçit, avokatja: Standard i
Rezart Taçi

TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtyrë sërish seancën gjyqësore ndaj Rezart Taçit. Seanca e radhës është lënë për në datën 18 janar, ku do të gjykohet fajësia e biznesmenit, i cili akuzohet nga Prokuroria e Posaçme se ka pastruar 18.3 mln euro të mafias italiane në Shqipëri.

Gjyqi sot u shty me kërkesë të palës mbrojtëse të biznesmenit. Avokatja e tij, Ilenja Mëhilli kërkoi më shumë kohë që të paraqesë me shkrim parashtrimet e kërkesave për pavlefshmëri të provave ndaj klientit të saj. Po ashtu, Mëhilli kërkoi pushimin e çështjes duke u bazuar edhe në kërkesën e prokurorit që ka veçuar çështjen për italianët.

"Është mbajtur një standard i dyfishtë për klientin tim, pasi nuk mund të procedohet dy herë për të njëjtin fakt penal,"-shtoi ajo para togave të zeza. 

Në tetor të vitit të kaluar, SPAK dërgoi për gjykim dosjen e Rezart Taçit, Artur Ballës dhe Bledar Lilos, të cilët akuzohen se do të pastronin në Shqipëri 18.4 milionë euro të bosit të "Cosa Nostrës", Francesco Zummo. Taçi dhe bashkëpunëtorët e tij akuzohen për veprat penale: “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”. Në një kohë që drejtësia e kërkon që të përballet me të, biznesmeni është "zhdukur", e ndaj tij është shpallur një urdhër arresti ndërkombëtar. 

Kjo pasi sipas SPAK, Taçi do pastronte 18.4 mln € përmes lëvizjes në disa banka në disa shtete dhe do merrte përqindjen e tij. Një nga vendet ku do të kryhej "operacioni" ishte edhe Shqipëria. Përveç Taçit, edhe Artur Balla dhe Beldar Lilo (të dënuar 11 dhe 10 vite burg nga Apeli i GJKKO) kanë pasur një rol aktiv për të ndihmuar italianët Francesco Zummon dhe ekonomistin Fabio Petruzzella-n, të dy të arrestuar në Itali, që të hapnin llogari bankare dhe të bënin transferta parash për pastrimin e tyre.

Ndërkohë që këta të dy hapnin llogaritë në Itali, Balla dhe Lilo bënin transfertat e parave sipas porosive që u jepte Rezart Taçi. Kështu, plot 18.4 milionë euro ishin ardhur në Shqipëri dhe ishin depozituar në "Alpha Bank" në Tiranë dhe pastaj duhet transferoheshin në Hong-Kong dhe Singapor nëpërmjet një kompanie biznesmenit. Por transaksioni u ndal në kohë.

Llogaria ishte në emër të Francesco Zummo, ndërsa vetë Taçi nga i gjithë operacionit do të fitonte 3 milionë euro, ose ndryshe 16% e shumës./ZËRI

Poll

MOS HUMB