
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rikthyer në SPAK për plotësim të hetimit dosjen e kardiokirurgut Edvin Prifti. Vendimi është marrë sot nga gjyqtarja paraprake Elsa Ulliri i dha 2 muaj kohë Prokurorisë së Posaçme të plotësojë hetimin dhe të paraqesë sërish kërkesën për gjykim.
Nga SPAK, mjeku Edvin Prifti akuzohet për “korrupsion pasiv” në 7 raste, “vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “fshehja e të ardhurave” dhe “pastrim parash. Hetimet për të u mbyllën në shkurt të këtij viti, duke i shtuar përveç akuzave të korrupsionit, fshehjes së të ardhurave, pastrimi i parave, edhe akuzën e vjedhjeve. Bëhet fjalë për një grant që ai do të duhej që ta investonte në pavionin e kardiologjisë ku shërbente në QSUT, të cilin sipas Prokurorisë e ka përvetësuar pjesërisht.
Edvin Prifti u arrestua, më pas u lirua, por nuk është kthyer ende në detyrë. Madje së fundmi i është hapur edhe një dosje e re. Prifti është kallëzuar nga një person që pretendon se i ka lënë nënën të vdesë dhe nuk i ka dhënë mjekimin e nevojshëm pasi nuk ka marrë paratë që ka kërkuar. Emri i Priftit doli dhe në aksionin për goditjen e grupit të trafikut të medikamenteve, si dhe akuzohet për përfshirje në tenderin e QSUT. Mes mjekëve, emrat deri më tani u kanë dalë Edvin Priftit, Aurel Vulës, Ilir Broqajt dhe Vladimir Peto. Biznesmenët nën hetim janë Aleksandër Gjoka dhe Ndue Pulaj./ZËRI