Aktualitet

Nis të hënën censusi i popullsisë dhe banesave, Rama: Plotësimi i formularit, akt patriotik

E.K
Nis të hënën censusi i popullsisë dhe banesave, Rama:
Edi Rama gjate fjales ne takim

Tiranë- 12 vite pas censusit të vitit 2011, INSTAT zbarkon të hënën në terren për të bërë censusin e popullsisë dhe banesave, i cili është shtyrë disa herë, fillimisht për shkak të Covid 19 dhe mandej për shkak të mungesës së përgatitjes dhe burimeve të mjaftushme njerëzore.

7500 persona do të jenë të angazhuar për 6 javë në pyetësorët që do të zhvillohen në të gjithë vendin, ndërkohë që rezultatet e këtij censusi sipas drejtoreshës së INSTAT Elsa Dhuli do të bëhen publike në muajin Qershor të vitit 2024.

Dhuli tha se qeveria shqiptare është mbështetësja kryesore në aspektin financiar, me 50% të fondeve, ndërkohë që një ndihmesë e madhe është dhënë si nga Komisioni Europian, si nga qeveritë suedeze dhe zviceriane.

Ndërkohë i pranishëm në këtë takim ambasadori i rikthyer i BE-së Luigi Soreca tha se nga organizmi i lartë europian janë dhënë 4.8 milionë eurosh në formë grantesh për kryerjen e këtij censusi.

Fillimisht ishte kryeministri Edi Rama ai që iu bëri thirrje qytetarëve që tiu përgjigjen pozitivisht anketuesve të INSTAT, ndërkohë që drejtoresha Dhuli bëri me dije dhe moton e censusit e cila do të jetë: Unë ti ne, kemi nevojë të mbajmë të ardhmen në duart tona

Të gjithë anketuesit kanë marrë pjesë në trajnime 6 javore, qoftë për mënyrën se si do ti drejtohen qytetarëve me pyetje, por edhe në përdorimin e teknologjisë.

Rama deklaroi se bashkëpunimi i qytetarëve është patriotik dhe se plotësim i formularit i merr vetëm 10 minuta kohë, ndërsa siguroi që i gjithë informacioni që do të mblidhet do të jetë konfidencial.

“INSTAT ka krijuar një armatë njerëzish për të lëvizur në terren për 6 javë, për të përdorur tabletat për regjistrimin dhe për të këmbëngulur që të dhënat të merren.

Ka nevojë për bashkëpunimin e qytetarëve, duhet ta kuptojnë se censusi ka edhe një aspekt patriotik.  

Është një ushtrim i vështirë sepse duhet trokitur derë më derë sepse duhen mbledhur të gjitha të dhënat që janë nevojë absolute për shumë arsye, pikë së pari për të identifikuar sa shqiptarë jetojnë në këtë vend sot.

Po ashtu sa është numri i pasurive të tyre të patundshme. Që të mos thonë “as që janë shumë e i keni shkruar rrugëve: dhe as që janë pak dhe nuk meritoni vëmendjen që pretendoni.

E them se janë pjekur kushtet për shkak se kemi dy faktorë, partnerët francezë, zviceranë, gjermanë, të gjithë të njohur për shpirtin e tyre të saktësisë dhe eksperiencën e të qenurit të saktë në numërim dhe patjetër me mbështetjen e BE me fond të konsiderueshëm ku 50% është vendosur në dispozicion nga qeveria shqiptare, pjesa tjetër nga partnerët.

Ekipet hartografike kanë krijuar zona të gjera referuese, me mjetet që do kenë në dispozicion do bëjnë regjistrimin në kohë reale.

Shqiptarët të japin të dhënat për qëndrimin në Shqipëri dhe pastaj për banesat e tyre. Mirëpritja e armatës së INSTAT dhe 10 minuta kohë për plotësimin e të dhënave, është detyrim patriotik. Informacioni i INSTAT është koefidencial”, u shpreh Rama gjatë fjalës së tij.

Ndërkohë që ambasadori Soreca tha se në një kohë që Shqipëria synon anëtarësimin në BE, të dhënat e censusit duhet të jënë sa më të besueshme.

“Të dhënat e censit janë pjesë e shumë aspekteve të bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë, politikat e BE mbështeten në të dhëna të besueshme.

Ndërkohë që Shqipëria vjen gjithnjë e më afër anëtarësimit, ndaj vendi duhet të ketë të dhëna të censit që përputhen me standardet, ndaj BE ka krijuar partneritet me INSTAT. Kemi mobilizuar 4.8 milionë euro grante për INSTAT, kemi pasur mbështetje dhe i falënderojmë për koordinimin.

Mësimet e nxjerra nga censi i mëparshëm kanë shërbyer si mësime për INSTAT për të përfshirë pakicat etnike, kjo do çojë në përmirësimin e të drejtave në përputhje me standardeve të BE.

Shqipëria ka bërë rrugë për besueshmërinë e të dhënave, kjo mund të jetë shtysë për vendin në integrimin në BE. Ne BE, do të mbështesim Shqipërinë”, tha Soreca gjatë fjalës së tij në takim.

Bazuar në të dhënat e Censusit të Popullsisë dhe Banesave në vitin 2011, rezulton se popullsia e Shqipërisë është 2,831,741 banorë. Ndërkohë që numri i popullsisë nga Censusi i vitit 2001 ishte 3,069,275.

Mbetet për t’u parë në censusin që do të publikohet Qershorin e ardhshëm se sa do të jetë numri i shqiptarëve që jetojnë brenda vendit, në një kohë që vitet e fundit është folur për një emigrim masiv drejt vendeve të BE-së./Zëri 

 

 

 

Poll

MOS HUMB