
ITALI- Kryebashkiaku Luigi Brugnaro, në emër të qytetit të Venecias, priti dhe falënderoi një nga shqiptarët që ndërhynë për të ndaluar vrasësin e dyshuar të 26-vjeçarit Giacomo Gobbato, gjatë grabitjes së një gruaje.
Sulmi me thikë ndodhi në Aleardi në Mestre, ku autori po grabiste një turiste, britmat e së cilës alarmuan personat që ndodheshin aty pranë, mes tyre edhe Dritanin me origjinë shqiptare, së bashku me dy bashkatdhetarët e tjerë, Klementin dhe Aurelin, të cilët iu afruan kriminelit dhe mbajtën të bllokuar derisa mbërritën patrullat e Policisë.
“Doja t’i falënderoja në emrin tim dhe të gjithë qytetit për gjestin e guximshëm që bënë”, komentoi kryebashkiaku, i cili foli edhe për dëshirën për t’i bërë homazhe Giacomo Gobbatos, një “djalë bujar” i cili bëri një gjest “të lavdërueshëm” duke ndërhyrë së bashku me mikun e tij për të ndaluar tentativën e grabitjes në Corso del Popolo. Një episod që tronditi qytetin dhe ngriti sërish debate për çështjen e sigurisë.
Sipas mediave vendase, një përleshje që ndodhi në rrugë më 21 shtator, në fakt ishte një sulm i dhunshëm që përfundoi në tragjedi, një i ri 26-vjeçar, Giacomo Gobbato, vdiq, ndërsa shoku i tij u plagos pasi u goditën me thikë teksa po përpiqeshin të mbronin një grua nga një grabitës. Giacomo pësoi dëmtimet të rënda, në bark dhe në këmbë, mjekët bën gjithçka për ta shpëtuar por i riu humbi jetën pak minuta pasi mbërriti në urgjencë. Në vendngjarje kanë qenë dhe tre shqiptarët, të cilët kanë ndërhyrë për të neutralizuar autorin dhe e kanë mbajtur të bllokuar deri në mbërritjen e policisë. / ZËRI