
GREQI- Një pistoletë është gjetur e fshehur në ambientet e burgut të sigurisë së lartë, në Koridhalos të Greqisë. Media greke "Kathimerini" ka dalë në përfundimin se 'pronarë' të armës së zjarrit janë shqiptarët që vuajnë dënimin në burgun grek. Arma, Sig Sauer 9 mm, u gjet të dielën në një ambient të përbashkët të të burgosurve. Më konkretisht, në dhomën e kaldajave. Pistoleta është gjetur e fshehur në mur, thuajse e padukshme për gardianët e burgut.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të “K”, një oficer i EL.AS. (Policia greke) sqaroi se zona ku u gjet arma aksesohet si nga gardianët, ashtu edhe nga të burgosurit brenda burgut. Një ditë më parë, për të njëjtin burg u raportua se ishin hedhur topa tenisi të mbushur me drogë. Por pritësi ende nuk është zbuluar.

Si u zbulua arma?
Në maj të vitit të shkuar, oficerët e Sigurimit të burgut kishin marrë një informacion se brenda në godinë kishte dy armë zjarri. Menjëherë u kryen kontrolle në një qeli që ishte në ndërtim e sipër. Brenda u gjet një pistoletë Glock dhe 19 fishekë të fshehura në mur. Ndonëse në informacionet fillestare që kishin mbërritur në Polici flisnin për dy armë të fshehura brenda burgut, oficerët nuk e gjetën dot armën e dytë.
Kështu që pas disa informacioneve të reja që mbërritën në Drejtorinë e Krimit të Organizuar (DAOE), u zhvillua një aksion i dytë, gjatë së cilës u gjet edhe arma e zjarrit. Edhe pse deri tani nuk ka përgjigje zyrtare se kujt i përket arma, Policia greke ka dyshime se është futur në qeli nga shqiptarë që janë dënuar me burg ëprjetë. Sipas tyre, dyshohet se armët do të përdoreshin në përpjekje për t'u arratisur nga burgu duke marrë peng një person.
Një plan i ngjashëm u zbulua në vitin 2020 në burgjet e Korfuzit. Edhe asokohe u gjetën dy pistoleta – njëra me silenciator. Nga hetimet e mëtejshme u zbulua se 8 të burgosur po planifikonin të arratiseshin duke marrë peng punonjësit e burgut. Edhe në këtë rast, të burgosurit shqiptarë, të dënuar me burg përjetë kishin për qëllim që të arratiseshin. Ndaj besohej se i njëjti plan po konsiderohej që të implementohej edhe në Koridhalos./ZËRI