
TIRANË- Mirlind Daku ka humbur ndeshjen me Spanjën, e cila do të luhet nesër në Dusseldorf në orën 21:00, e vlefshme për raundin e tretë në Grupin B të Euro 2024. Pas fyerjeve ndaj maqedonasve në përfundim të sfidës me Kroacinë, sulmuesi është dënuar nga UEFA me dy ndeshje. Në momentin që mbaroi ndeshje me Kroacinë, Daku mori megafonin dhe lëshoi thirrje raciste kundër maqedonasve. Përballja me Kroacinë u mbyll me rezultatin 2-2.
"Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA ka dalë me një vendim në lidhje me incidentin e ndodhur pas përfundimit të ndeshjes së EURO 2024, Shqipëri-Kroaci, ku ishte i përfshirë sulmuesi kuqezi Mirlind Daku. Komisioni i UEFA-s ka vendosur të pezullojë për dy ndeshje futbollistin shqiptar, i cili nuk do të mund të luajë kështu në ndeshjen e radhës ndaj Spanjës, në program për t’u luajtur të hënën e 24 qershorit në Dusseldorf,”- thuhet në njoftimin e FSHF-së.
Por, pavarësisht pezullimit, Daku ka vijuar stërvitjen me kuqezinjtë.