
TIRANË- Hyrja e një noteri në ambientet e paraburgimit në Durrës për të takuar ish-shefin e Operacionales në Policinë e Shtetit Oltian Bistrin ka ngjallur dyshime tek prokurorët e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit të Organizuar. Takimi është zhvilluar në gusht të 2023, teksa Bistri ishte i izoluar në qeli. Më 3 gusht, Bistri ka bërë redaktimin e një prokure, nëpërmjet të cilit i ka dhënë tagra bashkëshortes së tij, D. Bistri, në mënyrë që kjo e fundit të menaxhonte pasuritë.
Dhe kështu ndodhi! Vetëm dy javë më pas, në datën 21 Gusht 2023, bashkëshortja, babai, mamaja dhe vëllai i ish-shefit të Operacionales Oltian Bistri kanë revokuar 5 akte noteriale për blerjen e disa apartamenteve dhe dyqaneve tek shoqëria “Arlis Beton”. Për revokimin e kësaj kontrate, gazetari Elton Qyno shkruan për "OraNews" se ka paguar 1 milion euro. Kështu ka nisur dyshimi tek hetuesit e SPAK se Bistri ka pasur frikë këto pasuri mund t'i sekuestrohen.
Ndaj, pas të gjitha këtyre veprimeve, SPAK ka vendosur që të hapë hetim pasuror ndaj tij në bazë të ligjit “Antimafia”. Në verifikim nuk është vendosur vetëm Oltian Bistri, por edhe të gjithë familjarët e tij. Në dosjen hetimore thuhet se indiciet ndaj tij datojnë që në vitin 2016, kur Bistri ishte me detyrë shef i Komisariatit të Pogradecit.
"Konkretisht nga aktet e administruara rezulton se, Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë, më 30 dhjetor 2016 ka regjistruar procedimin penal nr. 340, për veprën penale "Trafikimi i narkotikëve".Nga aktet e këtij procedimi penal rezulton se ky procedim penal është regjistruar pasi Agjencitë Ligjzbatuese në vend (SHISH) kishin marrë informacione se disa shtetas kishin grumbulluar sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike në disa vende në Rrethin e Pogradecit me qëllim trafikimin e saj jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu rezultonte se në këtë aktivitet kriminal ishin përfshirë dhe punonjës të policisë Pogradec. Në funksion të hetimeve të këtij procedimi penal janë vendosur në përgjim disa numra telefonikë celularë në përdorim të shtetasve të dyshuar si të përfshirë në aktivitetin kriminal, ku ndër të tjerë edhe numrat celularë +355693128XXX dhe +355694114XXX, në përdorim në atë kohë nga Oltian Bistri. Këto përgjime janë vleftësuar të ligjshme nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Por për këtë çështje një prokuror i Krimeve të Rënda, më pas ka shpallur moskompetencën duke ja kaluar për hetime të mëtejshme prokurorisë së Pogradecit, e cila dosjen më tej e ka pushuar. Por pavarësisht kësaj, duke qënë se ndaj Oltian Bistrit, ka pasur indicie, që në vitin 2016 për përfshirje në veprimtari kriminale, si dhe në kuadër të dosjes “Metamorfoza” të regjistruar në SPAK, Oltian Bistri është futur si subjekt i ligjit “Antimafia” duke ju nënshtruar masave parandaluese pasurore,"-shkruhet në artikull.
Më pas, SPAK është ndalur tek transaksionet që ka kryer Bistri dhe familjarët e tij. Vëllai i Oltit, Ervin Bistri dhe prindërit kanë pretenduar se të ardhurat financiare i kanë siguruar gjatë punës në emigracion në Greqi. Nga ana tjetër bashkëshortja e Bistrit, D. Bistri është aksionere me 10 për qind në kompaninë “Mom Consulting” e cila ka një kapital të deklaruar prej 150 mijë euro, ndërsa pjesën tjetër të aksioneve e zotëron A. Quku. Sipas SPAK, në 3 Maj 2012 biznesmeni Artan Sherifi i ka shitur 21 pasuri vëllait të Oltian Bistrit, Ervin Bistrit dhe dajës së tij Artur Dadaj, me një vlerë prej 510 mijë euro.
Në vitin 2011, D. Bistri ka blerë një apartament me vlerë 85 mijë euro. Po në të njëjtin vit, në 2011-n Bistri i jep hua N. Merko 75 mijë euro, ndërsa në 2015, gruaja e tij, D. Bistri i ka dhënë hua 300 mijë euro Artan Dinos. D. Bistri ka deklaruar se këto shuma financiare i ka pasur si dhuratë për fejesë nga prindërit. Sërish në 2013, Ervin Bistri ka blerë tek Lilo një apartament me vlerë prej 46 mijë euro. Në 2017, Ervin Bistri ka blerë tek Armand Lilo një dyqan me vlerë 320 mijë euro, por kjo blerje është revokuar. Po ashtu, në muajin mars 2019, Ervin Bistri ka blerë tek Armand Lilo një apartament me vlerë 200 mijë euro. Kjo kontratë është revokuar.
Në vitin 2019, Ervin Bistri ka blerë një apartament tek Armand Lilo i “Arlis Beton” me vlerë 200 mijë euro, e më pas në gusht të vitit 2022, po i vëllai i Oltianit ka blerë pasuri tek biznesmeni Abaz Dino me një vlerë prej 130 mijë euro. Më 2 mars 2022, Ervin Bistri, ka blerë një apartament tek kompania “Park Construction Albania” me vlerë 65 mijë e 844 euro, ndërsa në qershor 2022 sërish i njëjti person ka blerë sërish një apartament 50 mijë euro tek Armand Lilo. Blerje tek Armand Lilo ka bërë dhe nëna e Oltian Bistrit, e cila ka prenotuar një dyqan me vlerë 230 mijë euro, nga të cilat 120 mijë euro janë likuiduar. Por tashmë kjo kontratë është revokuar.
Edhe babai i Bistrit, ka blerë tek Armand Lilo një apartament me vlerë prej 200 mijë euro, por kjo kontratë është revokuar. Ndërkohë në dosje ndodhen dhe disa kontrata huaje që Bistri dhe bashkëshortja e tij, kanë dhënë mijëra euro tek persona të tjerë. Pavarësisht pretendimeve, SPAK thotë se nga analizimi i të dhënave nga ekspertët financiarë prindërit e bashkëshortes së Bistrit nuk kanë pasur të ardhura të ligjshme për të justifikuar shumën prej 300 mijë euro. Ndaj dhe pasuritë e tij janë vendosur nën sekuestro./ZËRI