PODGORICË-Një ngjarje e rëndë ka tronditur Podgoricën, ku tre persona janë gjetur të pajetë në lagjen Stari Aerodrom. Viktimat janë tre meshkuj, ndërsa mes tyre ndodhen edhe dy vëllezër shqiptarë, Denis Hoti 28 vjeç dhe Nezrin Hoti 27 vjeç. Autoritetet në Podgoricë kanë shpallur në kërkim një shtetas nga Rozhaja, Vehid Murić, i dyshuar si autor i vrasjes së trefishtë.
Muric dyshohet se ka vrarë tre persona gjatë natës në një apartament me qira, ku ai ndodhej së bashku me viktimat, me të cilët punonte në një kantier ndërtimi.
Pas ngjarjes, Murić dyshohet se është larguar nga vendi i krimit dhe është kthyer në qytetin e tij të lindjes, Rozhajë. Aty, sipas hetimeve paraprake, ai ka ushtruar edhe dhunë ndaj nënës së tij në banesën familjare. Aktualisht, po vijon një operacion intensiv për kapjen e të dyshuarit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.