
TIRANË- Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për Altin Çokun, i cili akuzohet se ka shkaktuar vetëvrasjen e 27-vjeçares Sibela Abedini, e cila u hodh nga lartësia e një pallati në zonën e Kamzës në datën 10 Shkurt. Para se të niste seanca gjyqësore, 39-vjeçari e ka cilësuar arrestimin e tij të paligjshëm duke thënë se foton në rrjetet sociale nuk e ka publikuar ai vetë, por një shoku i tij.
“Jam arrestuar në mënyrë të paligjshme, sepse dihet kush e ka bërë shpërndarjen në media. Foton e ka nxjerrë shtetasi A.H. Jam përdorues i TikTok-ut si gjithë të tjerët”.
Gazetari: Altin, a ke ndonjë koment?
Altin Çoku: Jam arrestuar në mënyrë të paligjshme, sepse dihet se kush e ka bërë shpërndarjen e fotos. Plus janë dhe mesazhet në telefonin e vajzës.
Gazetari: Kush e ka nxjerrë foton, Altin?
Altin Çoku: Foton e ka nxjerrë shtetasi A.Haxhia. Janë mesazhet në telefonin e vajzës. Shpreh ngushëllime për familjen.
Ishte Prokuroria e Tiranës ajo që kërkoi masën e sigurisë 'arrest me burg' për 39-vjeçarin, i cili dhe në të kaluarën ka qenë i përfshirë në disa ngjarje kriminale. Ai ka mundur që të shpëtojë nga burgu, për shkak të gjendjes së tij të shëndetit mendor, që është vlerësuar nga psikiatër të ndryshëm.
Sibela Abedini i dha fund jetës, duke u hedhur nga kati i katërt i pallatit, mbrëmjen e 10 shkurtit. Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën 'Teuta' Kamëz, aty ku 27-vjeçarja jetonte prej një muaji me familjarët e saj. Ajo ishte e martuar me një shqiptar nga Kosova dhe bashkë ishin prindër të një vajze 2-vjeçare.
Familjarët e 27-vjeçares kanë dyshime se e reja mund të jetë vrarë, pasi thonë se ajo nuk do e linte kurrë vetëm vajzën për të cilën kujdesej aq shumë. Shkak për ngjarjen e rëndë është bërë qarkullimi i një foto mes saj dhe Çokut, nga ambientet e një hoteli./ZËRI