
KAVAJË- Kastriot Gjongecaj është nënkomisari i policisë që u vu në pranga me urdhër të AMP-së në qytetin e Kavajës. Ai së bashku me djalin e tij Denis Gjongecaj qëlluan me breshëri arme në drejtim të makinës ku udhëtonte një 29 vjeçar. Shkak për konfliktin që degjeneroi në përdorimin e armës nga efektivi dhe djali i tij është bërë sherri për një vend parkimi.
Një ditë para ngjarjes, djali i Kastriot Gjongecajt ishte konfliktuar me të riun nga Kavaja për shkak të një parakalimi me makinë. Konflikti kishte qenë verbal. Të nesërmen 24-vjeçari shkoi bashkë me të atin për ta sqaruar problemin.
Por djali ka qëlluar me pistoletë në drejtim të automjetit me të cilin po udhëtonte 29 vjeçari Kiti Kazazi. 24-vjeçari mbante dhe armë pa leje dhe ndaj tij rëndojnë dy akuza, ajo e vrasjes së mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Fatmirësisht si pasojë e të shtënave me armë nuk ka pasur persona të lënduar.
Njoftimi i AMP:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës-Kavajë) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë N/Komisar K. GJ., me detyrë specialist në seksionin e shërbimeve ndaj të tretëve në DVP Durrës, si edhe shpalli në kërkim shtetasin D. GJ., si të dyshuar për kryerjen e veprës penale "Vrasje e mbetur në tentativë" në bashkëpunim dhe "Armëmbajtje pa leje".
Arrestimi i N/komisar K. GJ. u krye pasi nga tërësia e veprimeve hetimore paraprake ka rezultuar se në bashkëpunim me shtetasin D. GJ., 24 vjeç (djali i tij), më datë 08.02.2024, rreth orës 13:25, në lagjen Nr.2 të qytetit të Kavajës, janë konfliktuar për motive të dobëta dhe kanë qëlluar me armë ndaj automjetit me të cilin udhëtonte shtetasi K. K., 29 vjeç. Nga kjo ngjarje nuk ka patur të lënduar.
Në përfundim të veprimeve hetimore, materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin për garantimin e zbatimit të ligjit dhe vetëpastrimin e Policisë, ndërsa fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës apo Shërbimit për Mbrojtjen nga Zjarri dhe për Shpëtimin, duke telefonuar falas në numrin 08009090.
/ZËRI