Aktualitet

Fill pas shkarkimit! Nisma ‘Thurje’ kallëzon në SPAK ish-ministren e Bujqësisë, Frida Krifca: Ka abuzuar me fondet e BE-së

Ky është kallëzimi i dytë për të njëjtën çështje, pasi në nëntor të vitit 2022, vetë OLAF, institucioni që zbuloi abuzimin me fondet e dorëzoi kallëzimin në SPAK. 

k.m.
Fill pas shkarkimit! Nisma ‘Thurje’ kallëzon në SPAK
Endri Shabani, Nisma Thurje

TIRANË- Nisma Thurje ka depozituar një kallëzim në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për fondet e IPARD. Megjithatë duket se nuk ka asgjë të re. Kjo pasi në nëntor të vitit 2022, vetë OLAF, institucioni që zbuloi abuzimin me fondet e dorëzoi kallëzimin në SPAK. Sipas SPAK, 3 dosje që kanë ardhur nga ambasada gjermane, EUROJUST dhe nga OLAF (Zyra Europiane kundër Mashtrimit) lidhur me fondet që ishin alokuar për Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural. 

Megjithatë në deklaratën e tyre për mediat, Endri Shabani dhe Pano Soko, dy nga përfaqësuesit më aktivë të Nisma Thurje, kërkuan vendosjen e përgjegjësve para drejtësisë për fondet që u janë vjedhur fermerëve shqiptarë ndër vite. 

"Fondet e IPARD janë vjedhur në Shqipëri. Për herë të parë në historinë e Shqipërisë ne përjashtohemi nga fondet e BE-së. Jemi para një rasti dhe tradhtimi që i bëhet fermerit shqiptar. Fermeri shqiptar detyrohet ta bëj sot se është i tradhtuar nga qeveria e vet. Ne jetojmë në një nga vendet më pjellore në Europë. Mirë që e kanë lënë fermerin vet, mirë që i heqin aksesin nëpër tregje fermerit, por edhe kur vijnë fonde nga BE, që ta ndihmojnë fermerin shqiptar edhe këto lekë i vjedhin me të njëjtën grup oligarkësh. Ky është populli më pro evropian në Europë,"- tha Endri Shabani.

 

"Ka qenë gjithë zinxhiri drejtues që ka pasur përgjegjësi administrative për të kontrolluar fondet. Kemi një raport përfundimtar nga OLAF dhe me persona konkretë. Kemi kallëzuar për shpërdorim detyre,"- tha Pano Sako.

Lajmi për abuzimet fillimisht u publikua në media, ku edhe u bë me dije se Komisioni Europian kishte pezulluar grantet për bujqësinë shqiptare nga programi IPARD III, për shkak të korrupsionit dhe mos respektimit të procedurave ligjore nga AZHBR në shpërndarjen e tyre. Vendimi u mor pas më shumë se 2 vite hetime nga OLAF, gjatë së cilave u zbulua se autoritetet shqiptare, përkatësisht AZHBR, nuk i kishin respektuar procedurat ligjore në shpërndarjen e granteve për fermerët duke bërë që një pjesë e madhe e fondeve të vidheshin. Madje disa raste u verifikuan dhe u zbulua se paratë ishin dhënë për investime fantazmë, të cilat nuk ekzistojnë fare. Pas publikimit të skandalit, Ministria e Bujqësisë në një reagim për mediat theksoi se programi i mbështetjes nuk është ndërprerë, e se puna vijonte normalisht. Madje, tashmë ish-ministrja, Frida Krifca pretendonte se ato ishin procedura normale të Bashkimit Europian në kushtet kur ka nevojë të verifikohen shpenzime të dyshuara për aktivitet jo konform rregullave të përcaktuara. Ndërsa kryeministri Edi Rama nuk e komentoi kurrë publikisht çështjen...deri në shkarkimin e Krifcës nga detyra si ministre. Por edhe kjo lëvizje duket e nënkuptuar, pasi zyrtarisht nuk ka dhënë asnjë shpjegim se përse postin e Krifcës ia la në duar ish-ministres së Ekonomisë dhe Financave, Frida Krifca.

Poll

MOS HUMB