
TIRANË- Shqipëria feston sot 111-vjetorin e Pavarësisë. Sot në Shqipëri, Kosovë dhe kudo ku ka shqiptarë festohet 28 nëntori, e cila njihet edhe si festa e flamurit apo Pavarësisë së Shqipërisë. Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur. Shqiptarët kudo ndodhen kanë uruar nëpër rrjeteve sociale për këtë festë të shënuar. Mes tyre edhe Politika ka uruar ditën e Pavarësisë për popullin shqiptar. Presidenti, kryeministri, kryetarja e Kuvendit do të bëjnë ngritjen ceremoniale të flamurit në orën 10:00 në Vlorë.
Kryeministri Edi Rama me anë të një fotoje të veçantë ka uruar të gjithë shqiptarët për 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
'MIRËMËNGJESI! Gëzuar përvjetorin e 111 të Flamurit të Pavarësisë’, shkruan Rama.
Një urim ka ardhur edhe nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani. Osmani përmes një postimi në Facebook Osmani shkroi se ditën e pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të UÇK-së, i bashkon flamuri kuq e zi dhe data 28 nëntor.

Postimi i plotë:
Ditën e pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të UÇK-së, i bashkon flamuri kuq e zi dhe data 28 nëntor.
Flamuri ynë kombëtar është trashëgimi e përjetësuar në simbol që nga viti 1443 në Krujë, 1912 në Vlorë dhe 1999 në Prishtinë. Kjo ditë është dedikim për heronjtë tanë që prej Gjergj Kastriotit, Ismajl Qemajlit, Hasan Prishtinës, Isa Boletinit e deri te Adem Jashari, vepra e të cilëve është vula e shtetit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës.
Republikës së Shqipërisë ia përcjell urimet më të ngrohta të qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës në këtë 111 vjetor. Kosova do të jetë gjithnjë në krah të Shqipërisë, duke thelluar më tej lidhjet ndërshtetërore, sikurse edhe ato ndërmjet motrave e vëllezërve!
Gëzuar të gjithëve!
Gjithashtu Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta në Ditën e Pavarësisë ka uruar shqiptarët për këtë ditë të rëndësishëm.

"Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar, simbolit që bashkon të gjithë shqiptarët, Gjergj Kastrioti Skënderbeun dhe Ismail Qemalin, Isa Boletinin dhe Adem Jasharin! Nderimin më të thellë për Atin e Shqipërisë, themeluesin e shtetit tonë modern, Ismail Bej Vlorës dhe veprës së ndritur të shumë patriotëve të tjerë që përjetësuan 28 Nëntorin e vitit 1912! Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë!’- shkruan Meta.
Me rastin e 111-vjetorit të Pavarësisë edhe Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka uruar shqiptarët. Nikolla nënvizon se Shqipëria është sot mes kombeve demokratike e të qytetëruara, anëtare e NATO-s, partnere e denjë e SHBA, që avancon me shpejtësi drejt familjes evropiane në mbrojtje të paqes, lirisë, pavarësisë dhe integritetit të kombeve.
Postimi i plotë:
Sot 111-vjetori i shpalljes së Pavarësisë. Më 28 nëntor 1912, përpjekjet e patriotëve e shqiptarë, të mendjes e të pushkës, u kurorëzuan me sukses me shpalljen e pavarësisë dhe themelimin e shtetit shqiptar të pavarur. Pasi u ngrit nga Ismail Qemali në Vlorën e Flamurit, flamuri kuqezi, deri atëherë shenja jonë kombëtare, u bë edhe simboli shtetëror i Shqipërisë së pavarur.
Ja si e përshkruan këtë ngjarje madhore të historisë kombëtare, Ati Themelues i Shqipërisë së pavarur, Ismail Qemali: “Plot me gaz e me lot ndër sy, nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi çpalli mëvehtësinë e Shqipërisë.”
Dhe më poshtë, për të treguar se pavarësia, liria dhe integriteti i shtetit shqiptar, kërkon edhe sakrifica sublime, vijon: “I drejtoj një lutje Zotit të Madh, që bashkë me bekimet e Tij që i lipij të na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut.”
Fjalë inspiruese të një jete e vepre inspiruese në shërbim të atdheut! Sakrifica është shenja më domethënëse e patriotizmit. Shqipëria është sot mes kombeve demokratike e të qytetëruara, anëtare e NATO-s, partnere e denjë e SHBA, që avancon me shpejtësi drejt familjes evropiane në mbrojtje të paqes, lirisë, pavarësisë dhe integritetit të kombeve. Një mbështetëse e vendosur e pavarësisë dhe fuqizimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Ish-kryeministri Sali Berisha ka uruar shqiptarët me një video të postuar në Facebook me fragmente nga kënga: “Po ku ka si ti o Shqipëria ime”.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka zgjedhur një video të veçantë urimi me fëmijët e qytetit, për të urar 111-vjetorin e Pavarësisë, ku citon se sa të bekuar jemi që jetojmë në këto toka.