Aktualitet

'Fati' i Ilir Metës në duart e Irena Gjokës, GJKKO cakton datën e seancës paraprake

Gjyqtarja Irena Gjoka do të vendosë për kalimin ose jo për gjykim të dosjes ndaj Metës dhe personave të tjerë të marrë të pandehur.

zh.ll
'Fati' i Ilir Metës në duart e Irena Gjokës, GJKKO
ilir meta

TIRANË- GJKKO caktoi datën 25 shtator ora 11.00 për zhvillimin e seancës së parë paraprake në ngarkim të ish-presidentit Ilir Meta. Dosja e  ish-presidentit do shqyrtohet nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila u caktua nga shorti elektronik që u hodh javën e kaluar. Gjyqtarja Irena Gjoka do të vendosë për kalimin ose jo për gjykim të dosjes ndaj Metës dhe personave të tjerë të marrë të pandehur.

Gjoka ka qenë gjithashtu gjyqtare paraprake në dosjen Partizani, ndërsa vazhdimisht ka qenë e sulmuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili edhe me disa kërkesa zyrtare ka kërkuar largimin e saj nga çështja, për konflikt interesi. Gjoka do të vlerësojë nëse akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme në drejtim të ish-presidentit janë apo jo të ligjshme.

Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara.

Meta nga ana e tij vijon betejën në Apelin e Posaçëm ku ka kërkuar heqjen e masës së sigurisë ‘arrest me burg’. Seanca e radhës për kërkesën e tij është caktuar në datën 8 Shtator./ZËRI

Poll

MOS HUMB