Aktualitet

Hidhet shorti në GJKKO, Irena Gjoka ka në dorë dhe ‘fatin’ e Metës, avokati: S'na del dot para askush!

Emri i Irena Gjokës ka qenë një nga më të sulmuarit nga kreu i opozitës Sali Berisha

E.K
Hidhet shorti në GJKKO, Irena Gjoka ka në dorë dhe
irena gjoka

TIRANË- Gjyqtarja Irena Gjoka do të shqyrtojë dosjen e Prokurorisë së Posaçme në ngarkim të ish-presidentit Ilir Meta. Pas shortit të hedhur në GJKKO, Gjoka është caktuar gjyqtare për dosjen e Metës, i cili ndodhet pas hekurave, me disa akuza në ngarkim të tij, përfshirë korrupsionin dhe fshehjen e pasurisë.

Gjoka ka qenë gjithashtu gjyqtare paraprake në dosjen Partizani, ndërsa vazhdimisht ka qenë e sulmuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili edhe me disa kërkesa zyrtare ka kërkuar largimin e saj nga çështja, për konflikt interesi. Gjoka do të vlerësojë nëse akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme në drejtim të ish-presidentit janë apo jo të ligjshme.

Avokati mbrojtës i Metës, Kujtim Cakrani ka hedhur dyshime në lidhje me përzgjedhjen e Gjokës për të shqyrtuar dosjen e ish-presidentit. Cakrani tha se do të konsultohet me Metën, por këshilloi gjyqtaren Gjoka që do të ishte më e udhës që ajo të jepte vetë dorëheqjen nga çështja.

“E prisja që do ishte Irena Gjoka gjyqtarja, sepse s’është rastësi që shorti bie me Irena Gjokën. Padyshim që s’do ta pranojmë këtë gjyqtare, jo vetëm për faktin që ka dënim penal, që ka mashtruar, por mbi të gjitha ajo është anatemuar si nga z.Meta, PL, por edhe qëndrimet e mia si avokat në studiot televizive.

Unë do flas me klientin tim, z.Meta, dhe do shohim qëndrimin tonë në momentin e duhur për gjyqtaren Gjoka. Meta është i pafajshëm dhe apostafat mjeshtrat e prokurorisë manipulojnë dosjet dhe gjejnë gjyqtare si Gjoka për t’i vënë kapakun. S’më njohin mirë akoma. Do ta kuptojnë kush jam unë. Ne do ta fitojmë këtë betejë sepse jemi në të drejtën tonë. Jo Irena Gjoka që s’na del përpara, por s’na del dot askush. 

Është mirë që të japë dorëheqjen vet sot, që mos kërkojmë ne përjashtimin dhe të ndjekim procedurat ndaj saj. Nuk është rastësi që znj.Gjoka është në trupin gjykues të Mediut, Belerit, masën paraprake për Berishën, dhe tani për Metën. Ne s’do ta pranojmë. Shorti është i dyshimtë. Fakti që ka qenë elektronik s’e bën të rregullt, se elektronike bëhen edhe zgjedhjet. Ne shortin e kontestojmë. Kjo zonjë s’ka moralin, integritetin dhe aftësinë të gjykojë çështje të tilla” – tha Cakrani për mediat.

Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara.

Meta nga ana e tij vijon betejën në Apelin e Posaçëm ku ka kërkuar heqjen e masës së sigurisë ‘arrest me burg’. Seanca e radhës për kërkesën e tij është caktuar në datën 8 Shtator./ZËRI

Poll

MOS HUMB