
TIRANË- Drejtuesit e shoqërisë shtetërore të prodhimit të armëve do të paguhen me rroga që kalojnë mbi 5500 euro në muaj. Drejtori i përgjithshëm i KAYO-s do të paguhet 564 mijë lekë në muaj, zëvendësdrejtori i saj do të paguhet 454 mijë lekë në muaj, ndërsa 4 drejtorët e drejtorive do të paguhen secili nga 509 mijë lekë në muaj. Vetëm për stafin drejtues prej 6 vetash, shoqëria do të paguajë mbi 300 mijë euro rroga në vit, ndërkohë që për përgjegjësit e sektorit dhe ekspertët rrogat do të jenë nga 344 mijë lekë në muaj.
KAYO do të ketë si funksion prodhimin, riparimin, demilitarizimin dhe tregtimin e armëve dhe pjesëve të armëve, përfshirë armët ushtarake, municionet, teknologjitë dhe pajisjet ushtarake dhe çdo aktivitet i lidhur më këtë veprimtari.
Qeveria e ka dorëzuar në Parlament projektligjin për ngritjen e kompanisë publike dhe bashkë me të ka dërguar edhe kostot administrative të shoqërisë duke përfshirë pagat e drejtuesve të saj.
“Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, ka për qëllim të shërbejë si akt themelimi për shoqërinë “KAYO sh.a”, që do shërbej për prodhimin e armëve. “Vetëm përmes një shoqërie të tillë mund të aktivizohen dhe funksionojnë mekanizmat e nevojshëm për rivitalizimin e kapaciteteve të trashëguara të industrisë ushtarake, në kuadrin e dinamikave aktuale në ambientin ndërkombëtar strategjik të sigurisë, vendimet dhe standardet e NATO-s”, theksohet në relacionin e projektligjit.
Projektligji lë hapësirë që në tregtimin e armëve të përfshihen edhe privatët, nëpërmjet formës së koncesionit për të financuar projektet e subjekteve për qëllime të veçanta. Në arsyetimin e qeverisë shkruhet se kjo industri mund të kthehet në fitimprurëse për ekonominë shqiptare, ndërsa ka një kërkesë të madhe globale për armë dhe municione.
“Në këtë mënyrë, përmes krijimit të një shoqërie shtetërore synohet shfrytëzimi i kapaciteteve industriale të trashëguara, sikurse edhe integrimi në proceset e punës edhe i teknologjive të reja dhe inovacioneve. Shqipëria rrjedhimisht do të ndërtojë një efekt deterence, duke rritur pozicionimin strategjik në rajon. Paralelisht kjo do të kontribuojë në rritjen dhe zhvillimin ekonomik, duke e bërë industrinë e mbrojtjes një motor mbështetës për përparimin,”- thuhet më tej në projektligj.