Aktualitet

Akuzohet se trafikonte emigrantë nga Lindja e Mesme drejt BE, GJKKO lë në burg një nga organizatorët

Emmanuel Delphin Assako Ella është arrestuar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal që trafikonte emigrantë në mënyrë të paligjshme, kundrejt përfitimit të shumave monetare.

E.K
Akuzohet se trafikonte emigrantë nga Lindja e Mesme drejt BE, GJKKO lë
GJKKO

TIRANË- Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO ka rrëzuar këtë të martë kërkesën e bërë nga Emmanuel Delphin Assako Ella, për masë më të butë sigurie, se ajo e “Arrestit me burg”. Assako Ella kërkoi zëvendësimin e masës së sigurisë nga “Arrest me burg” në “Detyrim paraqitje”. Emmanuel Delphin Assako Ella është arrestuar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal që trafikonte emigrantë në mënyrë të paligjshme, kundrejt përfitimit të shumave monetare. Në operacionin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK të zhvilluar pak muaj më parë u arrestuan 26 persona, që dyshohet se ishin përfshirë në një skemë që trafikonin emigrantët nga Lindja e Mesme, drejt vendeve të BE-së, duke përdorur territorin shqiptar.

NJOFTIM PËR MEDIAT

1. Kërkuesi Emmanuel Delphin Assako Ella më datë 03.07.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Ndryshimin e masës sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, duke caktuar një masë sigurimi personal me karakter shtrëngues më të lehtë, atë për “Detyrim paraqitje”.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Flora Hajredinaj, bazuar në nenet 228, 229, 230, 232, 234, 407, 410, 412, 413, 415, 422, 424, 428 e vijues të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 419, datë 16.07.2024, vendosi:

1. Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit Emmanuel Delphin Assako Ella për zëvendësimin e masës së sigurimit të regjistruar me nr.419, datë 03.07.2024, të masës së sigurimit “arrest në burg”, të caktuar me vendimin nr.37, datë 10.04.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me një masë sigurimi më të butë si të pabazuar në ligj dhe në prova.

2. Shqyrtimin në seancë gjyqësore të informacionit me shkrim, të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në lidhje me hetimet e kryera dhe nevojat e sigurimit për të arrestuarin në burg Emmanuel Delphin Assako Ella, dhe vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg” për të hetuarin Emmanuel Delphin Assako Ella, të caktuar me vendimin nr.37, datë 10.04.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

3. Shpërblimin e përkthyeses Rezarda Myderizi sipas rregullave financiare.

4. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 5(pesë) ditëve duke filluar nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar në Gjykatën e Posaçme të Apelit, për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar./ZËRI

Poll

MOS HUMB