
KOSOVË- Familja e Liridona Ademajt, e cila u vra më 29 nëntor në fshatin Bërnicë të Prishtinës, i është drejtuar me një letër Prokurorisë së Kosovës, përmes së cilës ka kërkuar takim urgjent, që të informohen në lidhje me rastin.
Letrën e ka publikuar në ‘Facebook’ vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj, që ka thënë se familja nuk është informuar për detaje të çështjes. Ai shprehet se familja nuk kërkon qasje në informacione konfidenciale, mirëpo kërkojnë që si familjarë të jenë të informuar, e drejtë kjo e garantuar ligjërisht.
“Ju njoftojmë se sapo i jemi drejtuar prokurorisë për një takim urgjent që të informohemi rreth rastit të vrasjes së më të dashurës tonë Liridona Ademaj.
Ne jemi thellësisht falenderues për punën e bërë deri më tani nga policia dhe prokuroria. Mirëpo, jemi të shqetësuar që deri më tani prokuroria nuk ka kontaktuar fare me neve. Ne ende zyrtarisht nuk jemi informuar se kush është prokuror i rastit dhe informacionet e vetme i kemi nga raportimet në media.
Ne duam të sqarojmë që nuk kërkojmë qasje në informacione konfidenciale mirëpo kërkojmë që si familjarë të jemi të informuar, e drejtë kjo e garantuar ligjërisht”, shkruan Leonard Ademaj.

Naim Murseli dhe bashkëpunëtorët e tij sajuan një skenar grabitjeje me qëllim për të vrarë Liridonën mbrëmjen e 29 nëntorit. Teksa Murseli, Liridona dhe dy fëmijët po udhëtonin me makinë, ‘grabitësit’ u prenë rrugën dhe i ndaluan. Vetë Naim Murseli zbriti nga mjeti bashkë me dy fëmijët, duke lënë pas të shoqen që u qëllua për vdekje nga Plava. Dëshmia e tij ngjalli dyshime dhe bëri që autoritetet të hetonin më tej. Pamjet filmike të kamerave të sigurisë identifikuan Plavën e Kokallën, të cilët zbuluan se ishin paguar nga Murseli për të vrarë Liridonën. Arsyeja mbetet ende mister. Varianti i parë është ai i parave të sigurimit të jetës që mund të përfitonte Murseli në rast se të shoqes i ndodhte një fatkeqësi, ndërsa i dyti, fakti që Liridona mund të kishte dijeni për një sekret të errët të të shoqit./ZËRI/