
DURRËS- Prokuroria e Durrësit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq 5 punonjës të Kadastrës së Kavajës, mes tyre edhe ish-drejtorin e institucionit. Në një njoftim të bërë me dije nga Prokuroria e Durrësit, 5 punonjësit akuzohen për falsifikim dokumentash dhe për shpërdorim detyre. Hetimet për rastin kanë nisur që në tetor të vitit 2021. E gjitha ka nisur duke u bazuar në një hartë të përpiluar nga inxhineri D. K. dhe më pas, regjistruesi i Agjensisë Shtetërore të Kadastrës në Kavajë, S.C., ka nënshkruar dhe konfirmuar praktikën çertifikatën e pasurisë numër "399".
Kështu të dy në bashkëpunim kanë falsifikuar dokumentat, hartat e pronës dhe kanë pajisur me çertifikatë për vërtetim pronësie babain e dy persoave të tjerë, të identfifikuar me iniciale I.T dhe Q. T. Kështu u ndryshua prona që ishte regjistruar si tokë pa frut, në një hapësirë prej 1900 m2 të mbjellë me ullishte. E gjitha për të marrë më shumë përfitime.
Ndaj, Prokuroria e Durrësit akuzon inxhinierin se ka falsifikuar dokumentet, pasi edhe pse e ka pasur për detyrë që të verifikojë pozicionimin e pronës së fituar me AMTP (akti i marrjes së tokës në pronësi), ai ka lëshuar një hartë që nuk përputhet me dokumentin e parë. Madje, sipas organit hetuesi, AMTP nuk plotëson asnjë kriter minimal për t’u quajtur dokument zyrtar dhe nuk tregon asnjë pozicionim të pronës.
"Ky dokument është një skicë e komisionit të ndarjes së tokës në vitin 1991, por që nuk ka asnjë lidhje me pasurinë në fjalë. Po kështu ASHK Kavajë nuk ka dërguar planin e rilevimit,"-bën me dije Prokuroria e Durrësit.
PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM DURRËS
Nën akuzë për ‘Falsifikim të dokumenteve’ dhe ‘Shpërdorim detyre’, Prokuroria e Durrësit çon në gjyq punonjësit e ASHK-së Kavajë. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq pesë persona, mes të cilëve ish-drejtorin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) Kavajë, inxhinierin dhe juristin e institucionit, shtetasit D.K. dhe S.C. për ‘Falsifikim të dokumenteve’ dhe ‘Shpërdorim detyre’ si dhe përfituesit e pronës nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara. Në përfundim të hetimit të procedimit penal nr.483 të filluar në datën 21.10.2021, u ngritën dyshime të arsyeshme dhe të bazuara në prova se punonjësit e ASHK-së Kavajë, hartografi që ka përpiluar hartën Ing. D. K. dhe regjistruesi i ASHK-së Kavajë S.C., i cili ka nënshkruar dhe konfirmuar praktikën çertifikatën për vertetim pronësie të pasurisë numër 399, kanë falsifikuar dokumentat, hartat e pronës dhe kanë pajisur me çertifikatë për vërtetim pronësie babain e shtetasve I.T dhe Q. T., për pasurinë më datë 23.05.2016, duke i ndryshuar vendin pronës prej 1900 m2 nga ullishte në pasurinë e cila ka qenë tokë pa frut në vitin 1991 për më shumë përfitime.
Nga hetimet e kryera, rezulton se shtetasi S.C. me detyrë ish-regjistrues në ASHK, Kavajë, ka konsumuar elemente të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës’ parashikuar nga neni 248 i K. Penal. Ky shtetas me detyrën e kryeregjistruesit ka regjistruar pronën duke shkelur Ligjin nr.33/2021 (ndryshuar me ligjin nr 9/2016, datë 11.02.2016 “Për regjistrimin e pasurive të palujtshme” neni 20, pika “C” neni 25 “Menyra e regjistrimit fillestar pika “b”neni 29, pika “1’, Rregulloren nr. 184/1999, “Menyra e rrregjistrimit fillestar”, Ligjin nr.171/2014, “Për përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të perfituesve”, neni 3, “Kriteret për pajisjen me aktin marrjes së tokës në pronësi”. Po kështu, nga hetimet e kryera rezulton se shtetasi D.K. ka konsumuar veprën penale të falsifikimit të dokumenteve pasi si person që ka pasur detyrë të verifikojë pozicionimin e pronës së fituar me AMTP, ai ka lëshuar një hartë e cila nuk përputhet me AMTP. Nga verifikimi i kësaj harte, ky dokument nuk plotëson asnjë kriter minimal për t’u quajtur dokument zyrtar dhe nuk tregon asnjë pozicionim të pronës. Ky dokument është një skicë e komisionit të ndarjes së tokës në vitin 1991, por që nuk ka asnjë lidhje me pasurinë në fjalë. Po kështu ASHK Kavajë nuk ka dërguar planin e rilevimit./ZËRI