Aktualitet

Abuzimet me tenderat/ DOSJA: Evis Berberi tërhoqi para nga kompania. Bisedat me ortakun: Të lashë syze peshqesh

Në dosjen e zbardhur të SPAK thuhet se Evis Berberi ka përfituar para nga kompania DAAM edhe pas shitjes së saj.

f.t
Abuzimet me tenderat/ DOSJA: Evis Berberi tërhoqi para nga kompania.
Evis Berberi

TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me çështjen e Evis Berberit, drejtor i përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar. Berberi u arrestua për korrupsion e pastrim parash përfitoi miliona lekë nga shoqëria DAAM, të cilën sipas SPAK e zotëronte në mënyrë të tërthortë. Në dosjen e zbardhur të SPAK thuhet se Evis Berberi ka përfituar para nga kompania DAAM edhe pas shitjes së saj.

“Pas shitjes së kuotave të kompanisë ‘DAAM’ te shtetasja Brunilda Buli, më datë 31 janar 2019, edhe pse nuk ishte më aksioner i kësaj kompanie, Evis Berberi është konstatuar që në periudhën 7 Shkurt 2019 deri më 10 shkurt 2020, ka tërhequr para cash nga llogaria e kësaj shoqërie vlerën 1 930 000 lekë si dhe 75 mijë e 100 eurosh”,- thuhet në dosjen e siguruar nga "News24".

Gjithashtu në dosjen voluminoze, janë zbardhur mesazhet e shkëmbyera mes berberit, Ervis Lamit, biznesmenit tjetër të arrestuar Valter Begaj, i kompanisë net Group dhe Brunilda Bulit. Në një nga mesazhet Evis Berberi i dërgon sms Ervis Lamit: ‘Të duhet vërtetimi nga OSHEE? Më dërgo kontrata, libreza dhe ID të Valterit t’i bëjmë dhe vete i merr’.

Në një tjetër mesazh, Ervis Lami i dërgon një foto Berberit ku shihet një automjet dhe i shkruan: Të lashë peshqesh një palë syze.

Mes 3 të arrestuarve dhe Brunilda Bulit ka qindra mesazhe të zbardhura në dosjen hetimore, ku ata flasin për tendera. Evis Berberi akuzohet se firmosi 6 tendera në favor të ish- ortakut të tij Valter Begaj, 3 prej të cilëve kur ishte në kreu të Agjencisë së Evidencës së Energjisë dhe 3 kur drejtonte Autoritetin Rrugor. Më paratë e dyshuara si ryshfet, ai investoi dhe bleu sipërfaqe të mëdha toke në fshatin Mangull të Tiranës.

GJKKO ka lënë në burg Evis Berberin dhe 2 biznesmenët, Valter Begaj dhe Ervis Lami. Berberi akuzohet për “Korrupsion” dhe “Pastrim parash”. Me dyshimet për të njëjtat vepra penale, ndërsa në gjendje të lirë po ndiqet dhe Brunilda Bulo, bashkëpunëtore e tyre, e cila nuk është arrestuar për shkak se është nënë e një fëmije të mitur. Skema për përvetësimin e parave është bërë nëpërmjet dy kompanive “Net Group” dhe “Daam”. Kompanitë u blenë dhe u shitën mes 4 të përfshirëve në dosje, madje dhe nga vetë Berberi, i cili më pas, shpallte fituese kompanitë e tij në disa tendera publikë të shpallur nga Agjencia për Efiçencën e Energjisë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar. Shuma e përvetësuar u përllogarit 2.3 milionë euro. Por po ashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesën e Berberit u gjetën piktura të shtrenjta si dhe vlera monetare që kapin shumën e 4 milion lekëve./ZËRI

Poll

MOS HUMB