Aktualitet

EPISODI 2- Berisha në mbledhje qeverie: Unë do mbroj pronarët, do bëj avokatin e tyre, nuk iu mbaj dot borxh atyre

Në diskutimet me ministrat Ridvan Bode dhe Genc Ruli, Berisha shprehet se qeveria e PD-së është në borxh me ish-pronarët, dhe për këtë atyre do t’iu njihen pagesat me letra me vlerë

E.K
EPISODI 2- Berisha në mbledhje qeverie: Unë do mbroj pronarët, do
SALI BERISHA DHE JAMARBER MALLTEZI

TIRANË- Në dy vendime të Këshillit të Ministrave, të zbardhur në dosjen e SPAK, në ngarkim të ish-kryeministrit, Sali Berisha shfaqet si avokat mbrojtës i ish-pronarëve, përfshirë edhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi. Pas mbledhjes së muajit Qershor, të vitit 2008, ku Berisha thoshte se të gjitha sipërfaqet e stadiumeve dhe terreneve sportive do iu ktheheshin ish-pronarëve, në një tjetër diskutim në qeveri, të bërë në Dhjetor të të njëjtit vit, ish-kryeministri zotohet që do të bëjë avokatin mbrojtës të ish-pronarëve.

Sipas prokurorëve të SPAK, Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai, Berisha është ‘aktivizuar fuqishëm në mbrojtje të pronarëve’. Prokuroria i referohet vendimit të Berishës, për t’iu njohur pronarëve letrat me vlerë, ndërsa gjatë diskutimit me ministrat, shprehej se qeveria ishte në borxh ndaj tyre.

PJESË NGA DOSJA

Më datë 17.12.2008 është mbajtur procesverbal P.2.27 i mbledhjes së Këshillit të Ministrave për projektvendimin "Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet apo transformohet dhe për procedurën e shitjes". Konstatohet se vetë shtetasi Sali Berisha është aktivizuar fuqishëm duke u shprehur se do të mbrojë pronarët, si t'ja bëjnë që t'i favorizojnë këta të fundit.

Më poshtë është e pasqyruar një pjesë e diskutimeve të mbledhjes në fjalë. Sali Berisha: Ky projektvendim është propozuar nga Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës. Jemi dakort? Genc Ruli (Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës): Për këtë mund të them një shpjegim se cfarë kemi bërë.

Sali Berisha: Po, e di, keni zgjidhur cështjen e ankandit.

Genc Ruli: Jo ankandi është veç doktor por futëm 20% me lekë dhe 80% me letra me vlerë.

Sali Berisha: Bravo, jepe këtë njoftim, se edhe kjo përbën risi. Ma thuaj, si jua keni vlerësuar letrat me vlerë juve këtyre? Unë do të mbroj pronarët, do të bëj avokatin e tyre. Dmth si t'ja bëjmë që t'i favorizojmë, t'i marrim ato, se ja ke mbajtur tjetrit, ti e ke shfrytëzuar.

Ridvan Bode (Ministër i Financave); Ne po ia lehtësojmë tani, ai e paguante 100% me para, tani po i themi do ta paguash me letra me vlerë. Genc Ruli: 20% me lekë dhe 80% me letra me vlerë

Sali Berisha: Vetëm se na del një problem këtu, na e rrit kursin e letrave me vlerë shumë kjo pastaj

Ridvan Bode: Oferta e letrave me vlerë është shumë e madhe në krahasim me këtë tjetrën.

Sali Berisha: Atëherë çfarë duhet të bëjmë ne me letrat me vlerë, se unë për letrat me vlerë po mendoj me cdo kusht që t'u qëndrojmë, por nuk mund të qëndrojmë 800 mijëshit, ajo ka qënë një gjë jashtëzakonisht e rëndë që na u imponua, për shkak të lekëve të privatizimit të të përndjekurve, kështu që ne do ti etalonim me vlerë.

Ridvan Bode: I kemi etaluar, është pjesë e vendimit, ky vendim i ka të gjitha brenda.

Sali Berisha: Letrat me vlerë ua kemi borxh se nuk i kemi shpërndarë, duhet të gjejmë mënyrat që t'i ndihmojmë, t'i heqim këto letrat me vlerë. Këtë e kemi bërë shumë mirë, jam shumë dakort me ty, se nuk i marrim dot, absolutisht. Jepe këtë lajm, është një lajm shumë i rëndësishëm, që u miratua, që 80 për qind ta paguajnë me letra me vlerë vetëm pronarët. Ai borxh do të shlyhet qeveria ka borxh, ma gjej ti mua mënyrën sesi ta shlyejmë, unë me atë borxh nuk rri, unë do ta shlyej po qe se Shqiptarët më japin mandatin e dytë, unë ta them se do t'ua shlyej borxhin.

Unë atyre letrave do tju qendroj se kanë një sens ato të shpërndarjes së pasurisë, kanë një bazë shumë morale, shumë të fuqishme, tjetër punë se tani nuk po merret kush me këto në botë, por ne do të merremi, nuk kemi se cfarë të bëjmë.

Përfundimisht Këshilli i Ministrave e miratoi projektvendimin. Në këtë procesverbal kanë nënëshkruar Luiza Lolo (Stenografe) dhe Gjergj Lezhja (Sekretar i Përgjithshëm)./ZËRI 

Poll

MOS HUMB