
FIER- Një efektiv i Policisë së Fierit, i identifikuar me inicialet Lorenc Gropa është vënë këtë të shtunë në prangat e Agjencisë së Mbikqyerje Policore, pasi akuzohet për kultivim dhe shitje të lëndëve narotike. Bashkë me të në pranga kanë rënë dhe tre persona të tjerë, konkretisht, Klevis Gropa, Ledjon Gropa dhe Skerdilajd Levendi. AMP bën me dije se nga kontrolli i banesës së punonjësit të policisë u sekuestruan në cilësinë e provave materiale një qese me pluhur të bardhë, në dukje lëndë narkotike e llojit kokainë me peshë rreth 41,25 gr, 2 cigare me lëndë narkotike hashash, 2 peshore për peshimin e lëndës narkotike, një armë zjarri tip TT, një armë zjarri e llojit Karabinë dhe 11 aparate celularë.
NJOFTIMI I AMP:
“Prodhim dhe shitje e narkotikëve”/AMP arreston punonjësin e Policisë dhe 3 shtetas, ndërsa 2 shtetas të tjerë procedohen në gjendje të lirë Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Fier-Berat), në kuadër të hetimit proaktiv me metoda speciale, finalizoi operacionin për goditjen e një grupi kriminal në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, duke arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë L.G., me detyrë Trup Shërbimi i Patrullës së Përgjithshme pranë Komisariatit Fier, si dhe shtetasit K.G. dhe L.G., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, veprimtari të cilën dyshohet se e kryenin në ambientet e një bar kafe, në Patos.
Nga kontrolli i banesës së punonjësit të policisë L.G. u sekuestruan në cilësinë e provave materiale një qese me pluhur të bardhë, në dukje lëndë narkotike e llojit kokainë me peshë rreth 41,25 gr, 2 cigare me lëndë narkotike hashash, 2 peshore për peshimin e lëndës narkotike, një armë zjarri tip TT, një armë zjarri e llojit Karabinë dhe 11 aparate celularë. Nga veprimet hetimore progresive në vijimësi si deklarimet dhe këqyrja e telefonave, u dokumentua implikimi në trafikun e armëve në shtetin grek të shtetasit S.L., i cili u arrestua për "Trafikim i armëve dhe municioneve", pasi ai negocionte me shtetas të tjerë në lidhje me këtë veprimtari të paligjshme.
Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë shtetasi B.F., i dyshuar për "Organizim i lojërave të palejuara" dhe "Vënia në dispozicion e ambjenteve për lojëra të palejuara", si dhe shtetasi M.G., i dyshuar për "Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive". Vijojnë hetimet për përfshirjen e mundshme të shtetasve apo punonjësve të tjerë të policisë në këtë veprimtari të paligjshme./ZËRI