
ELBASAN- Dy persona janë arrestuar nga Policia e Elbasanit pasi po lëviznin me makinë të armatosur me kallashnikov. Në pranga të policisë ranë Aurel Kaçaniku 32-vjeç dhe Renaldo Sadushi 30-vjeç. Autoritetet bëjnë me dije se të dy të arrestuarit janë me precedent të mëparshëm penal, ku 32-vjeçari është dënuar më parë në Gjermani, ndërsa 30- vjeçari rezulton se ka plagosur një person dhe ka kundërshtuar punonjësit e policisë.
“Në kuadër të operacionit, shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara gjatë hetimit proaktiv, kanë ndaluar për kontrolle, në rrugën "Iliaz Kosova", automjetin me drejtues shtetasin A. K., 32 vjeç (i dënuar më parë në Gjermani), dhe me pasagjer shtetasin R. S., 30 vjeç (me precedent për plagosje dhe për kundërshtim të punonjësve të Policisë). Gjatë kontrolleve është gjetur nën sediljen e pasagjerit, 1 armë zjarri kallashnikov me municion luftarak, që posedohej pa leje nga të arrestuarit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme”, njofton policia. /ZËRI