
TIRANË- Marrëveshja për emigrantët e nënshkruar midis Kryeministrit Edi Rama dhe homologes së tij italiane Georgia Meloni për emigrantët është kthyer në temën e ditës në të dy vendet. Nisur nga ky impakt kjo marrëveshje ka marrë vëmendjen e mediave italiane. “LA7” ka ardhur vetë në Shqipëri ku ka parë nga afër vendin ku do të ndërtohet kampi i refugjatëve dhe ka zhvilluar intervista me banorët e zonës.
I pyetur nga gazetarja Sara Giudice, një banor i Shëngjinit ka rrëfyer dhe eksperiencën e tij në Itali, në vitet e para pas rrëzimit të sistemit komunist, por siç shprehet ai nuk mund të hiqet një paralele mes shqiptarëve dikur dhe emigrantëve që pritet të vjnë në Shqipëri në bazë të marrëveshjes.
Sipas tij, shqiptarët u dyndën në portet italiane dhe fituan besimin e tyre pasi kanë punuar punë të ndershme, ishin qytetarë të rregullt dhe ndërtuan të ardhmen. Sipas tij, emigrantët që pritet të vijnë në Shqipëri kanë një të shkuar krejt ndryshe.
Banori: Në vitet ’90 unë isha në ato peshkarexha. Kam ardhur në Itali me të gjithë familjen time dhe kam jetuar atje për shumë vite. Kam punuar ndershmërisht. Kam jetuar në disa qytete të Italisë. Jo, këtu do të vijnë afganë, tunizinë, afrikanë...njerëz pa pasaporta dhe me një histori shumë ndryshe nga e jona.
Ndërsa një tjetër qytetar shprehet se ekziston rreziku që emigrantët që do të stacionohen në Gjadër të Lezhës mund të bien në rrjetën e grupeve kriminale të trafikimit të qenieve njerëzore.
Banori: Shqipëria nuk është një vend për të varfër të tjerë. Këtu personat që do vijnë, thjeshtë do përfundojnë në rrjetet kriminale. Ne shqiptarët e dimë mirë se çdo të thotë varfëria. Ne kemi respekt për varfërinë.
Një pensioniste shprehet se nuk duhet të përdoret etiketimi se shqiptarët janë racistë pasi kjo nuk është e vërtetë.
Pensionistja: Shqiptarët nuk janë racistë, historia jonë flet qartë. Ne thjeshtë jemi të varfër, kemi një pension që është vetëm 190 euro në muaj. Çfarë mund ti ofrojmë ne atyre (emigrantëve)? Kryeministri jonë, Rama nuk gjen kohën të kujdeset për ne, për fëmijët tanë që ja mbathin nga Shqipëria. Cili është projekti për të ardhmen e këtyre personave? Si do ja bëjë nëse ata nuk do të kthehen më në vendin e tyre? Kush na garanton që ata (emigrantët) do të qëndrojnë të mbyllur në qendrat e tyre?
Ndërsa një tjetër qytetare shprehet se ndihet e frikësuar nga ardhja e tyre në Shëngjin. Ndërsa shton se kjo marrëveshje duhet të ishte refuzuar nga Kryministri Edi Rama.
Qytetarja: Duan të sjellin këtu 37 mijë burra. Nëse do dal rrugës për të shkuar diku (në ato zona), sinqerisht do të ndjehem e frikësuar. Ka ndonjë arsye nëse Italia nuk i do. Rama duhej të refuzonte marrëveshjen. Këtu do të zëvendësohen të rinjtë tanë me këta të rinj (emigrantët). Populli ynë me të tyrin.
Kamerat e emisionit italian ndalen dhe në Tiranë ku intervistojnë dy biznesmenë italianë, të cilët prej vitesh punojnë në Shqipëri.
Biznesmeni 1: Tirana është si Dubai. Ka shumë mundësi, taksat janë të favorshme.
Biznesmeni 2: Kur mendoj për taksat që janë këtu, harroj se jam italian.
Giorgia Meloni dhe Edi Rama nënshkruan një marrëveshje për emigrantët në 6 nëntor. Italia do të ndërtojë dy qendra në Shqipëri për të pritur emigrantët, që arrijnë në BE përmes detit. Marrëveshja do të zgjasë 5 vjet, por mund të shtohet edhe me 5 vite të tjera. Gjithashtu për të pritur emigrantët do të ndërtohet vetëm një qendër. Porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë./Zëri.ai